Arbëri

Analistët e shohin të gabuar tendencën e opozitës “që të imitojë VV-në”

E gabuar është vlerësuar tendenca e partive opozitare që me veprime ta imitojnë Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas analistëve, opozita pavarësisht inferioritetit në numra do të duhej ta bënte një skanim të komplet premtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me argumente e shifra ta bindë publikun për ato që nuk përmbushen

Populiste dhe të vakëta po konsiderohen veprimet e partive opozitare, në javët e para përballë Qeverisë Kurti.

Temat ku ka qenë aktive deri më tani opozita kryesisht me konferenca për media janë mungesa e vaksinimit, mospublikimi i programit të Qeverisë dhe dialogu me Serbinë.

Ndërkaq PDK-ja e ka rikthyer në diskurs Gjykatën Speciale që vetë e kishte votuar, eksponentë të së cilës ndodhen në Hagë. Ky subjekt akuzoi Qeverinë se nuk ofroi garanci për lirimin me kusht të Thaçit e të tjerëve. Madje në seancën e së enjtes, situata përshkallëzoi me fyerje dhe gati përleshje fizike.

Analisti Rasim Alija e quan të gabuar tendencën që të kopjohet opozitarizmi i Vetëvendosjes nga opozita e tanishme.

“Pavarësisht përpjekjeve të opozitës, ajo çfarë kemi parë deri më tani ka qenë një opozitë e vakët e pabalancuar duke mos e gjetur ende veten në rolin opozitar e mbi të gjitha një tendencë për ta kopjuar opozitarizmin e Vetëvendosjes. Opozitarizmi i Vetëvendosjes nuk e ka as fuqinë që të kopjohet dhe madje nuk e ka as efektin në publik që e ka dhënë asokohe opozitarizmi i tyre”, ka thënë Alija.

Ndërkaq Demush Shasha nga Instituti “Epik” rolin e opozitës e sheh në dy rrafshe.

“I pari është ai i mbajtjes së Qeverisë nën mbikëqyrje dhe duke e thirrur Qeverinë në llogaridhënie. Dhe i dyti ai i kritikut konstruktiv dhe bashkëpunues. Opozita duhet të bëjë atë që bëri para disa ditësh, me të drejtë thirr i një seancë për vaksinimin. Ato janë të mirëseardhura dhe opozita duhet të bashkëpunojnë në pika të tilla. Në raste tjera, për shembull MSA-ja është diçka që e bashkon opozitën. Shtrohet pyetja çfarë po bën Qeveria për të adresuar rekomandimet që kanë dalë nga raporti i progresit vitin e kaluar. Aty thuhet se duhet të mbyllen terminalet doganore dhe për këtë qeveria duhet pyetur”, ka deklaruar Shasha.

Ballafaqimet më të ashpra pushtet-opozitë, sipas analistëve do të bëhen rreth temës së dialogut me Serbinë.

Rreth kësaj teme, bashkëpunim prej opozitës ka paralajmëruar të kërkojë kryeministri Albin Kurti. Por Qeveria nuk e ka publikuar ende programin qeverisës e as Platformën e dialogut.

Partitë opozitare kanë kërkuar shmangien e negociatave që për bazë kanë dy dokumentet jozyrtare të publikuara së fundmi, të cilat nuk e përjashtojnë as ndarjen e Kosovës.

Pas konstituimit të legjislaturës së tetë ka munguar koordinimi brenda partive opozitare. Madje subjekti më i madh opozitar PDK-ja e kritikoi LDK-në për pjesëmarrjen në votimin për presidenten e vendit.