12 perditesime
15:01

Kalojnë rekomandimet e Komisionit për mbulimin e humbjeve për rrymën në veri

Kanë kaluar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

68 deputetë kanë qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit ndërkaq 61 kanë votuar pro.

Bëhet fjalë për 11 milionë euro të cilat do të ndahen nga KOSTT-i për komunat në veri për pagesën e rrymës. Kjo është bërë me propozim të shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm në mënyrë që të mos obligohet Qeveria.

14:57

Kusari-Lila: Për rrymën në veri është gjetur zgjidhje me kosto më të ulët

Ushtruesja e detyrës së shefes së GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në një rezolutë të vitit 2018 është kërkuar nga ZRRE-ja dhe KEDS-i që të gjejnë zgjidhje në raport me humbjet në veri të vendit.

Ajo ka thënë se tri vjet pas, sot jemi në të njëjtën situatë.

“Por kësaj radhe shpresojmë që kemi gjetur një zgjidhje me kosto më të ulët. Në dhjetor Kosova është pranuar në ETSO-E dhe tash nga ajo kohë është në bllok rregullues me Republikën e Shqipërisë. Rekomandimi i Komisionit parasheh që brenda 6 muajve grupi punues i Qeverisë të vijë me zgjidhje. KOSTT-i është rekomanduar të jetë përgjegjës për sigurimin e rrymës për faktin se është i licencuar nga ZRRE-ja. Propozojmë të miratohen këto rekomandime dhe kërkojmë nga Qeveria t’i intensifikojë përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi 20-vjeçar”, ka thënë ajo.

Ndërkohë ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka përsëritur rëndësinë e këtyre rekomandimeve. Ajo ka thënë se në fund të gjashtë muajve do të mundohen të kenë një zgjidhje afatgjate të qëndrueshme.

“Nuk do të përsërisë rëndësinë e këtyre rekomandimeve, aprovimin e tyre për mbarëvajtjen e KOSTT-it. Do të them që ne si Qeveri, ndonëse jemi për një kohë të shkurtër në detyrë, e kemi marrë këtë çështje shumë seriozisht dhe jemi duke diskutuar me të gjitha institucionet kosovare për tu siguruar që të kemi plan të qartë për hapat e mëtejmë. Gjatë javës tjetër do të riaktivizojmë grupin punues. Ne jemi në rrugë të drejtë të zgjidhjes së problemit në kuptim që Elektroseveri në dhjetor të vitit 2020 e ka paraqitur aplikacionin e tij për shërbim të distribuimit dhe furnizimit, presim që të kompletohet bordi i ZRRE-së për të marrë vendime së pari në lidhje me licencën. Në fund të këtyre gjashtë muajve do të mundohemi ta kemi një zgjidhje afatgjate të qëndrueshme, të cilën për fat të keq nuk kemi pasur mundësi ta kemi për 20 vjet”, ka thënë Rizvanolli.

Grupet Parlamentare të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk janë të pranishme për t’u deklaruar.

 

14:53

Lista Serbe insiston për licencimin e kompanive serbe për veri të vendit

Lista Serbe nuk do të përkrah rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi, Industri dhe Tregti për rrymën, përkatësisht pagesën për shpenzimin e rrymës në komunat veriore me shumicë serbe.

Lista Serbe insiston në licencimin e dy kompanive serbe që do të bënin shpërndarjen e rrymës në këtë pjesë të vendit.

“Është folur edhe në Bruksel, edhe kemi arritur deri te një marrëveshje që të themelohen dy kompani. Është e nevojshme që të bëhet licencimi i këtyre dy kompanive që të mund të punojnë në mënyrë normale. Çdo gjë tjetër është vetëm një zhvatje. Për shkak se në rekomandime nuk përfshihen këto kompani, atëherë Lista Serbe nuk përkrah këto rekomandime”, ka thënë deputeti serb Igor Simiq.

14:47

Pas më shumë se dy orësh vazhdon seanca pa opozitën

Ka nisur të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës. Në sallë janë 61 deputetë.

Në mungesë të iniciuesit të debatit për arsim, PDK, kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë.

Seanca ka filluar pas më shumë se dy orë.

Aktualisht është duke u shqyrtuar pika: Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Rekomandimet – 1. NP KOSTT, duhet të paraqes para komisionit funksional, në baza mujore devijimet e energjisë elektrike në këto komuna (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) – për gjashtë (6) muajt e ardhshëm, duke filluar nga muaji prill 2021;

2. NP KOSTT, të paraqes në komision funksional, shpenzimet e energjisë elektrike në baza mujore retroaktivisht prej 1 janar 2018 – deri me 1 prill 2021;

3. NP KOSTT, duhet të paraqes në komision funksional, zgjidhjen mujore për devijimin e energjisë elektrike në katër komunat e Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan);

4. Autorizohet NP KOSTT të mbuloj devijimet e energjisë elektrike në katër komunat e vendit (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), sipas zgjidhjes së prezentuar dhe miratuar në komisionin funksional duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.

5. Obligohet Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për faturimin e konsumatoreve në katër komunat e Republikës së Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) me energji elektrike.

11:32

Tension e tentim për përleshje, deputetët në pauzë

Tension i madh është krijuar në seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi opozita ka lëshuar seancën.

Pas LDK-së edhe Partia Demokratike e Kosovës lëshoi sallën.

Gjatë largimit të deputetëve të PDK-së, në dera e sallës së Kuvendit, pati një tentim për përleshje. Deputeti Memli Krasniqi dhe Ardian Kastrati nga PDK-ja janë përplasur me ministrin Faton Peci. Më pas në tollovi është bashkuar edhe deputeti Hajdar Beqa. Në një moment, në video është parë që Beqa e shtyu me dorë me ministren e Arsimit, Arbëri Nagavci.

Paraprakisht, mes deputetëve pati fyerje e ofendime të rënda.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri e ka kritikuar mbarëvajtjen e seancës duke shtuar se nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci është duke degjeneruar seancën.

Tahiri ka thënë se do të kërkojnë që të mblidhet kryesia urgjentisht dhe të caktohet mbarëvajtja e seancës.

Seanca ka shkuar në pauzë deri në ora 12:00. 

“Më vjen keq që një pjesë e deputetëve e lëshuan sallën. I ftoj gjithë deputetët të keni kujdes në gjuhën dhe të respektoni rregulloren e Kuvendit. Sot kam vepruar në respektim të plotë të rregullores. Kështu që ftoj këdo që ka ndonjë vërejtje sipas nenit 50 të rregullores së Kuvendit pika 1f, t’i adresohet komisionit për legjislacion. Do të shkojmë me një pauzë deri në ora 12. Lus deputetët që të jenë të gjithë në sallë në ora 12 të vazhdojmë me procedim të pikave që i kemi në rend”, ka thënë Bogujevci.


12:35 - Kuvendi sërish në pauzë

Kuvendi i Kosovës pas tensioneve të krijuara ka nisur seancën. Menjëherë pas fjalës së ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, seanca ka shkuar në pauzë.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka bërë të ditur se Kuvendi do të shkojë në pauzë deri në orën 14:00,

11:26

Deputetët e LDK-së të zemëruar e lëshojnë seancën

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës ku po mbahet seanca.

Ky ka qenë reagim pasi i është ndalur fjala kryetarit GP të LDK-së, Arben Gashi.

Ai në fjalën e tij ka kritikuar nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci se nuk po i trajtohen njëjtë deputetët dhe se më shumë kohë po ju jep ministrave të deklarohen sesa deputetëve.

11:25

Tahiri akuzon Gërvallën: Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë

Abelard Tahiri, deputet i PDK-së e ka akuzuzar ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën.

Në replikën e tij, Tahiri e quajti “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë” Gërvallën.

“Ju jeni përfaqësuese e Serbisë në Kosovë. Sot na e dëshmove që Republika e Serbisë nuk ka nevojë me u marrë me neve se të ka ty. Ajo gjykatë është bërë prej njerëzve sikur ju. Sot nuk ka nevojë me dal Daçiqi se është Donika Shwarz, se emrin tjetër po me vjen marrë me ta përmend. Ti sot më shumë ngjason me ambasadorin e Serbisë se sa si ministre e Punëve të Jashtme. Dil kërkoju falje viktimave, grave të dhunuara për atq që e the . Kjo është turp, është marre për ty. Ti je turpi më i madh. Me pas një kryeministër të përgjegjshëm, sot të të kishte shkarku”, ka thënë Tahiri.

11:19

Gërvalla: Gjykatën Speciale e votuat ju, jo ne

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se Qeveria Kurti është zgjedhur për të luftuar korrupsionin.

Ajo ka thënë se Gjykata Speciale nuk është instaluar nga Serbia po nga vetë deputetët.

Gërvalla ka thënë se deputetët asnjëherë nuk kanë ndërmarrë asgjë për gjykimin e krimeve të luftës.

“Po ju drejtohem juve deputetëve të PDK-së, korrupsioni nuk është pikë e jona, por realitet i hidhur i qytetarëve të Kosovës. Qeveria jonë është zgjedhur për të luftuar korrupsionin, më së shumti të instaluar nga ju. Gjykata speciale nuk është e instaluar nga Serbia, Gjykata Speciale në Hagë është e instaluar nga ju. Pse është e instaluar nga ju, jo vetëm qe nuk e keni luftuar, por nuk keni ndërmarrë asgjë për gjykimin e dënimin e krimeve. Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli ju e dini shumë mirë se si është krijuar Gjykata Speciale. Ju pikërisht ju jeni përgjegjës që prijësit tuaj ndodhen në Hagë”, ka thënë ajo.

11:06

Vitia-Tahirit: Ju ishit zv.kryemninistër deri në mars, pse s’i keni blerë vaksinat

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i është përgjigjur shefit të GP të AAK-së, Besnik Tahiri lidhur me sigurimin e vaksinave.

Ai i ka thënë se për një kohë ka qenë zëvendëskryeministër, pse nuk i kishte blerë ai në atë kohë.

Ndërkaq për faljen e gjobave ndaj bizneseve që nuk kanë respektuar masat, ai ka thënë se është mesazh i gabuar dhe dekurajon bizneset që i kanë respektuar ato.

“Ju keni qenë zëvendëskryeministër. Pse nuk i keni blerë vaksinat? Pse nuk i keni blerë kur ishit deri më 23 mars. E di shumë mirë që ju jeni njoftuar mirëpo edhe ju i dini për vonesat që janë shkaktuar në negociata. Për faljen e gjobave për bizneset mirë që kërkoni e di që është mirë me i ndihmu bizneset. Të kërkohet që të lirohen ose të ju falen këtyre bizneseve dënimet e shqiptuara mendoj që është mesazh i gabuar që ju qojmë bizneseve të cilat kanë respektuar masat e inkurajojmë ato që nuk i kanë respektuar”, ka thënë ai.

Deputeti Bekim Haxhiu i është përgjigjur Vitisë. Ai ka thënë se qytetarët po presin nga Qeveria që t’i blejë vaksinat.

“I nderuar ministër pse nuk i kanë blerë vaksinat, ata qytetaret po pyesin pse nuk po i blini. 10 ditë ka pas zero vaksinim në Kosovë. Janë 95 ditë prej se i keni fituar zgjedhjet, ju e keni ditë që keni me bë qeverinë, ju keni mund me punu se e keni ditë që keni me ardh në qeveri. Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka kontratë për vaksinat”, ka thënë ai.

Ndërkaq Tahiri ka thënë se kërkesë e tij është që të shfrytëzojë buxhetin për blerjen e vaksinave.

“Nuk jemi këtu opozitë pozitë . Jemi duke adresuar disa çështje të cilat është e vërtetë që unë i di. Kërkesa jem për ty është: shfrytëzoje buxhetin që e ki. Vazhdo mos ke frikë e ki mbështetjen tonë kaq. Pse ne nuk kemi blerë, mos hi bre në këtë temë. Në pandemi mos e merr personale nuk jemi të ndarë në këtë temë nuk jemi të ndarë jemi bashkë. 45 ditë nuk janë pak”, ka thënë ai.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka pasur shumë takime me akterë të ndryshëm në Bruksel.

“U nis kjo pjesë e seancës sot duke thënë që kryeministri vrapoi të shkojë në Bruksel për dialog. Nuk kanë të bëjnë takimet dhe përmbajtja e takimeve me komisionerin për bujqësi e tregti me dialog. Me u portretizu që ka shkuar për dialog, kanë qenë takime që domosdo duhet të bëhen. Të jeni të paktën të sinqertë mbi atë qe deklarojmë”, ka thënë ajo.

11:00

Haxhiu: Nëse Qeveria nuk mundet t’i sigurojë vaksinat, ka të tjerë që munden

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që Qeveria të punojë në sigurimin e vaksinave COVID.

Ai drejtuar kabinetit qeveritar ka thënë se nëse ata nuk munden, ka të tjerë që dinë t’i sigurojnë ato.

“Duhet forca e të gjithëve bashkë për t’i siguruar vaksinat. Ju lutem mobilizoheni”, ka thënë ai.

10:54

Tahiri e quan të dobët Qeverinë Kurti: Për 45 ditë nuk sollët as program

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur Qeverinë Kurti të dobët. Ai ka thënë se për 45 ditë nuk kanë mundur të sjellin një program, duke shtuar se kjo bie ndesh me atë që është thënë në fushatë.

Tahiri ka pyetur edhe për vaksinat, duke kërkuar që bizneset që janë gjobitur gjatë kohës sa Kosova ka qenë e mbyllur, të falen.

“Kryeministër sot janë bërë 45 ditë prej kur jeni bërë kryeministër. Në buxhetin e MSH-së i keni mjetet për të nënshkruar kontratën që të blihen vaksinat. Pyetja ime për ministrin është se kur keni me nënshkru kontratën, në qoftë se ju nuk veproni atëherë dyshimet tona për korrupsion për keqmenaxhim janë valide. Nuk po ju kërkojnë informatat rreth procesit konfidencial, por po ju themi shfrytëzoni mjetet. E dini se keni marrë një vendim totalisht të gabuar kur i keni mbyllur për 12 ditë Kosovën. Grupi Parlamentar i AAK-së kërkon që të gjitha bizneset të cilat janë gjobitur të falen. Kërkojmë prej juve një vendim për faljen e tyre”, ka thënë ai.

10:43

Tahiri-Kurtit: Pse po hyn në dialog ende pa i përcaktuar kërkesat

Ka nisur të mbahet seanca në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka nisur fjalën e tij lidhur me dialogun me Serbinë.

Ai e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti pse ka hyrë në një proces pa i përcaktuar Kosova kërkesat e veta.

“Cilat marrëveshje janë respektuar nga palët e cilat nuk po implementohen? Pse Kurti po hyn në një proces ende pa i përcaktuar kërkesat tona. Edhe kushtet për parimet i kemi dëgjuar por prej kushteve siç duket ka hequr dorë. A të vazhdoj në dialog pa u zbardh fati i të pagjeturve. Edhe e katërta par ekipin me çfarë ekipi. Çështje tjetër po ashtu e rëndësishme është edhe marrëveshja e Washingtonit. Kurti theksoi se marrëveshja është bërë për të mos u zbatuar. Mirë është Kurti të sqarojë se cili është qëndrimi i Qeverisë kashi kësaj marrëveshje. A është një marrëveshje e dëmshme e cila nuk duhet implementohet e apo është korrekte. Duhet me bo të qartë se mbi çfarë dokumentesh dhe parimesh je duke e ndërtuar pozicionin tënd mbi këtë proces”, ka thënë ai.

08:20

Deputetët diskutojnë sot për arsimin dhe rrymën në veri

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare në të cilën pritet të ketë debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

Po ashtu në seancën e sotme që pritet të fillojë në ora 10:00 do të shqyrtohen rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e “NP KOSTT” për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Ky është rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19,

5. Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.