Arbëri

Balaj: Kontratat e Telekomit, të rrezikshme edhe për sigurinë e shtetit

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se gjendja në Telekomin e Kosovës është e rëndë dhe se Bordi i ri duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për ta kthyer në gjendjen në të cilën ndodhet kjo kompani.

Balaj ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se kontratat e shumta që janë nënshkruar në të kaluarën janë ato që i kanë shkaktuar më së shumti dëme Telekomit.

Ai ka theksuar se edhe vlerat e larta të qirave të objekteve të Telekomit dhe mungesa e investimeve teknike në Valë janë po ashtu disa prej faktorëve që po e dëmtojnë shumë kompaninë.

“Telekomi nuk është në gjendje të mirë, nuk ka ndonjë ndryshim edhe pse është munduar të bëhet diçka. Por gjendja është e rëndëm, duke filluar prej gjendjes finaciare, asaj teknike e deri tek problemet me pagat e punëtorëve. Problemet janë të kamotshme, kontratat e shumta që janë nënshkruar në të kaluarën janë ato që e kanë sjellë në këtë gjendje, mosmenaxhimi i mirë nga Bordet. Zanafilla ka filluar në vitin 2010 kur Telekomi ka pasur dëme pas nënshkrimit të kontratave të dëmshme të kompanisë, sidomos me Z-Mobile e cila i ka shkaktuar dëme mbi 200 milionë euro. Pastaj, investimi në teknikë, i ka rreth 7 vite që nuk është bërë asnjë investim në teknik në Valë dhe kjo shkakton gjendje të rëndë”, ka thënë Balaj.

Sipas tij, hapi i parë që duhet të bëjë Bordi i ri i sapo emëruar nga Qeveria, është që të ndalojë ato kontratat e dëmshme, t’i dërgojë edhe në krime ekonomike dhe në prokurori.“Besoj se hapi i parë duhet që duhet të bëjë ky Bord në bashkëkoordinim me ministrinë e Qeverinë, ose vet si bord, është të ndalojë kontratat e dëmshme, të i dërgojë ato edhe te krimet ekonomike dhe Prokurori. Një pjesë e tyre është në Prokurori dhe po shqyrtohet nga organet e rendit. Besoj se nëse fillon sa më shpejt të ndodh atëherë Telekomi për kohë rekorde mund të kthehet në piedestalin ku ka qenë".