Arbëri

Rrahmani tregon për idenë prapa dokumentarit “Rrëfimi i një refugjati”

Regjisori dhe autori i dokumentarëve Eki Rrahmani ka treguar se si erdhi deri te ideja për krijimin e dokumentarit “Rrëfimi i një refugjati”.

Dokumentari flet për përjetimet e Rrahmanit si refugjat në Britani e krahasimin se si priten refugjatët nga Siria sot në Evropë.

“Ideja ka filluar diku në vitin 2015, gjatë krizës më të madhe të refugjatëve, kur sirianët e vërshuan Evropën. Në atë kohë isha duke e bërë një film me Al Jazeeran, me një producent nga Siria, Maher Jamous. Po punonim për konfliktin në Siri. Në biseda e sipër kemi folur se si më kanë trajtuar mua si refugjatë gjatë viteve 90-ta kur kam ikur prej Kosovës e si po i trajtojnë refugjatët tash në Evropës. Pas një kohe filluam të mbylleshin kufijtë, Hungaria, Serbia e vendet tjera. Si evropianë në vinte turp çfarë trajtimi ia bënin refugjatëve. Në bisedë e sipër fillova të shkruaj një artikull nga mllefi. E shkrova një artikull qysh na pritën ne kosovarëve, e krahasim me atë që po kalojnë sirianët tash. E shkova artikullin, iu pëlqej e pati shumë klikime e sukses. E pastaj duke biseduar me producentët tjerë e shqyrtuam si ide e çuam përpara. E miratuan, më bënë nder të madh. Jam producent, regjisor, zakonisht jam pas kamerës. Kësaj radhe është më ndryshe”, ka folur Rrahmani në Deskun e KOHËS.

Korrespondenti i Al Jazeeras ka treguar se si ish-refugjat ka qenë më e lehtë për të, të bënte dokumentarin.

“Ka qenë ndoshta më e lehtë për mua si ish-refugjat, e ende kur më pyet dikush them se jam ende refugjat. Më e lehtë ka qenë të përzihem me refugjatë. E kemi ndje kombi ynë me vite, e kemi pas këtë problem. Ka qenë e lehtë me hy në rrjedha të tyre, me i dit ndjenjat e tyre e përjetimet e tyre”, ka thënë Rrahmani.