1 perditesime
23:16

Palushi: Mbrojtja e të akuzuarve nga Specialja duhet të bëjë kërkesë për garanci nga Qeveria

Avokati Kushtrim Palushi ka thënë se së pari duhet bërë kërkesë nga mbrojtja e të akuzuarve nga Gjykata Speciale për një garanci nga Qeveria e Kosovës, pasi Qeveria me vetiniciativë nuk mund të komunikojë me Gjykatën Speciale.

“Qeveria e Kosovës apo organet publike në Kosovë, marrin pjesë ose kanë ndërveprim me palët në procedurë nëse u kërkohet nga palët. Nëse mbrojtja e z. Thaçi, z. Veseli apo e të akuzuarve të tjerë kërkon nga ana e Qeverisë së Kosovës që të lëshojë një garanci apo dokument me të cilin ata deklarojnë se do të mbikëqyrin z Thaqi 24 orë në 7, dhe se kanë kapacitete të mjaftueshme e vullnet, duhet t’i bindin ata se mund ta bëjnë një gjë të tillë. Në këtë rast Qeveria mund ta lëshojë një garanci të tillë. Mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk është këtu për të komunikuar me publikun nëse do të lëshojë apo nuk do të lëshojë një garanci të tillë. Së paku derisa Qeveria e Kosovës nuk e ka një kërkesë nga ana e mbrojtjes për një garanci të tillë, sepse nuk mundet Qeveria me vetiniciativë të komunikojë me Gjykatën Speciale”, ka thënë Palushi.

23:14

Palushi sqaron çështjen e garancisë shtetërore për të akuzuarit nga Specialja

Avokati Kushtrim Palushi ka sqaruar lidhur me çështjen e garancisë shtetërore për të akuzuarit në Gjykatën Speciale në Hagë dhe mundësia që ata kthehen në Kosovë sa nuk ka nisur gjykimi.

Palushi ka thënë se Kosova ka dhënë një herë garanci në rastin e ish-kreut të PDK-së, Kadri Veselit, kur mbrojtja e tij ka kërkuar që të mbrohet në liri duke dorëzuar shkresa nga MD-ja, komandanti i Policisë, por që nuk kanë mjaftuar.

Së fundmi, shtoi ai, aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara e ka bvërë më të qartë cështjen e garancisë shtetërore.

“Edhe Gjykata e Apelit ka konstatuar se në Kosovë nuk ka kushte, edhe po të deklarojë Kosova se mund t’i monitorojë Thaçin dhe të tjerët, një gjë e tillë nuk është e mundur ta bëjë Kosova për disa arsye. Një arsye që përmendet është fakti se derisa është në paraburgim në Hagë, Veseli dhe tjerët janë 24 orë të mbikëqyrur nga autoritetet e Hagës dhe ata deklarojnë se policia e Kosovës nuk është në gjendje të mbikëqyrë ata në këtë mënyrë siç janë në Dhomat e Specializuara”, ka thënë Palushi në Interaktiv.

Ai ka shtuar se më të vështirë e bën fakti se të akuzuarit janë figura me ndikim në Kosovë dhe më e rëndësishmja se nga Dhomat e Specializuara ceket se ekziston rreziku i ikjes.

“Ata përmendin edhe faktin që Thaçi dhe të tjerët janë figura me ndikim dhe nuk mund të shmanget rreziku që të njëjtit mund të ndikojnë tek institucionet apo organet publike në Kosovë. Por më e rëndësishmja, kjo mbrojtja në liri ka rrezikun e ikjes. Derisa Gjykata Apelit ka thënë se rreziku i ikjes mund të shmanget përmes garancisë së një shteti të tretë, që deri në këtë kohë Thaçi nuk ka ofruar dëshmi se një vend i tretë mund t’i pranojë”.