Arbëri

Buxhovi: Kemi sjellje të papërgjegjshme të klasës politike në Kosovë

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi ka thënë se prej shpalljes së pavarësisë por edhe përtej atij viti nga shpallja, “klasa politike ka qenë më shumë e prirë që me veprimet e veta t’i plotësoj ambiciet e veta”.

Në Deskun e KTV-së, Buxhovi ka folur për historinë e viteve të fundit të Kosovës, ku në dekadëshin e fundit flitet për dialogun me Serbinë dhe ku kërkohen kompromise. Ai ka shtuar se veçmas nga viti 2008 klasa politike në Kosovë ka pasur sjellje të papërgjegjshme në shumë segmente.

“Ne kemi raporte të zhdrejta me shtetin, shpesh edhe antihistorike qysh na u kanë paraqitë më 13-14. Ndoshta ato që janë shfaqur nga viti 2000, veçmas në 2010 kur GJND ta pranoi sovranitetin shtetëror, ne kemi një sjellje të papërgjegjshme të pjesës më të madhe të klasës politike në Kosovë në shumë segmente që e kanë rrezikuar shtetin e Kosovës. Një historian sjell në dilemë se pse këtu dikush nuk e ka dashur shtetin apo pushtetin por e shikon si mallkim”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se janë dy çështje që sipas tij kanë çuar në sjellje të papërgjegjshme të klasës politike kosovare.

“Këtu kanë ekzistuar dy koncepte për dhe rreth shtetin prej viteve 70-80-90. Ka qenë koncept i barazisë, koncept që Kosova të jetë e barabartë me njësitë e tjetra në kohën kur ka ekzistuar Jugosllavia. Pas Titos është ditë që nuk do të ketë Jugosllavi, një kohë kalimtare si pas xhonturqëve që e dinim se përpjekjet e shqiptarëve kanë qenë bashkimi i katër vilajeteve. Të njëjtën e kemi edhe këtu, të shkohet që ajo pozitë të avancohet më shumë, meqenëse 74-shi e la situatën ideale, në të ardhmen të jepet një deponim i tillë. Por, kanë ekzistuar edhe lëvizje ilegale, grupe të ndryshme ilegale që kanë planifikuar që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë por në kuadër të një republike komuniste”, ka shtuar ai.