Arbëri

Garancia e shtetit, vendimtare për lirimin e përkohshëm të të akuzuarve nga Specialja

Descriptive Text

Garancia që shteti i Kosovës mund t’u ofrojë Dhomave të Specializuara për mbrojtjen në liri të të arrestuarve që po mbahen në Hagë, mund të jetë vendimtare për lirimin e tyre të përkohshëm.

Bazuar në legjislacionin mbi të cilin funksionojnë Dhomat e Specializuara, të arrestuarit përveç situatave të jashtëzakonshme nuk mund të qëndrojnë në paraburgim më gjatë së një vit, nëse gjatë kësaj kohe nuk ka nisur gjykimi. Fillimi i gjykimit në rastin e katër ish-eprorëve të UÇK-së, në skenarin më të shpejtë, është paralajmëruar që të fillojë në vitin 2022.

Garancinë e një shteti të tretë e ka përmendur gjyqtari i Apelit, Kai Ambos, në vendimin për refuzimin e Apelit për lirim me kusht për Hashim Thaçin dhe të tjerët. Ndonëse e ka përmendur garancinë e shtetit si mundësi, ka potencuar se një gjë e tillë automatikisht nuk garanton lirimin e parakohshëm.

“Unë vetëm dua të ngre ndërgjegjësimin, domethënë se një ofertë e tillë, nëse bëhet konkretisht dhe mbështetet nga garancitë, përfshirë nga shteti i tretë përkatës, mund të zhvendosë ekuilibër në favor të lirimit me kusht dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet seriozisht nga gjyqtari i procedurës paraprake ose kolegji kompetent”, thuhet në vendimin e Dhomës së Apelit të nënshkruar nga gjyqtari Kai Ambos në lidhje me apelimin për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse është e gatshme të ofrojë garanci për të akuzuarit e Speciales.

Garancia e institucioneve se të akuzuarit do t’i respektojnë kufizimet e lirimit me kusht ka qenë e nevojshme edhe në rastet e gjykimeve të ish-eprorëve të UÇK-së të gjykuar nga Tribunali i Hagës.

Në arkivin e dokumentacionit të procesit gjyqësor kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj përmenden deklarata të ndërkombëtarëve, por edhe të politikanëve kosovarë në vitin 2005, të cilat i hapën rrugë lirimit të parakohshëm të tij.

“Dhoma Gjyqësore u pajis me referenca të bollshme në lidhje me integritetin personal dhe politik të të akuzuarit, duke përfshirë deklaratat nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, Søren Jessen-Petersen, ish-Komandanti i Forcës së Kosovës (KFOR), gjeneral Klaus Reinhardt, dhe Ibrahim Rugova, Presidenti i Kosovës”. Z. Jessen-Petersen e përshkroi të akuzuarin si një njeri me“ udhëheqje dinamike, angazhim të fortë dhe vizion” dhe se ai kishte treguar “dinjitet dhe pjekuri” në vendimin e tij për t'u dorëzuar”. Gjenerali Reinhardt, i cili e drejtoi KFOR-in nga tetori 1999 deri në pranverën e vitit 2000, deklaroi se i akuzuari “është një njeri tek i cili kam besim me gjithë zemër dhe këshillat e të cilit i kërkoja në mënyrë aktive... Dhoma Gjyqësore do t'i japë peshën e duhur secilës prej këtyre referencave”, thuhet në të dhënat e arkivit të Tribunalit të Hagës.

Lirimi i parakohshëm nga paraburgimi parashihet në Rregulloren e Procedurës dhe Provave mbi të cilën funksionon Gjykata Speciale. Paragrafi i dytë i rregullës 56 e kufizon mbajtjen në paraburgim para fillimit të gjykimit deri në një vit.

“Para caktimit të gjykatësit të procedurës paraprake sipas nenit 33(1)(a) të Ligjit, vlerësimin e paraburgimit e bën gjykatësi i vetëm i caktuar në përputhje me nenin 33(2) të Ligjit, çdo dy (2)

muaj ose më herët, me kërkesë të të dyshuarit apo të Prokurorit të Specializuar, ose proprio motu. (2)Përveç arsyeve të përcaktuara në nenin 41(6) të Ligjit, çdo kërkesë për mbajtje të mëtejshme në paraburgim duhet të përligjet prej masave hetimore që do të ndërmerren prej Prokurorit të Specializuar. (3) Paraburgimi, sipas kësaj dispozite nuk mund të zgjasë më shumë se një (1) vit”, thuhet në këtë paragraf.

Neni tjetër e specifikon që “trupi gjykues siguron që një person të mos mbahet në paraburgim për një periudhë të tejzgjatur deri në hapjen e çështjes kundër atij personi”.

Masa e paraburgimit rishikohet çdo dy muaj.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, të akuzuar për krime lufte, janë arrestuar në fillim të nëntorit të vitit të kaluar.