Idenë për testimin e mësimdhënësve po e kundërshtojnë ashpër përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Pos tyre, edhe njohës të fushës së arsimit.
Rrahman Jasharaj nga SBASHK-u ka thënë se një vlerësim i tillë nuk do të ndodhë asnjëherë.
“Atë që e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë, sepse ka aty këtu informata, thashetheme për ndonjë ide eventuale që të bëhet testi me shkrim për punëtorët e arsimit. Ne ketë gjë e kemi kritikuar edhe në kohën e ministrave të tjerë dhe po e them edhe një herë, SBASHK-u nuk do të lejojë asnjëherë që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Ne kërkojmë që të shkojnë inspektorët në orë të shohin si po punojnë ata”, thotë ai për KP.
Njohësit e arsimit në vend thonë se duhet të ketë mbikëqyrje të vazhdueshme të përformancës së mësimdhënësve. Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, ka thënë se përpos vlerësimit të përformancës, duhet edhe të përditësohet legjislacioni aktual për të rritur më tepër llogaridhënien brenda komunitetit të mësimdhënësve.
“Në Kosovë nuk ka mësimdhënës jo të mirë, mirëpo ka mësimdhënës të cilët janë shumë rehat në profesionin e tyre, kanë krijuar një lloj komoditeti të jashtëzakonshëm i cili dikur pastaj kthehet në një performancë jo të mirë. E kjo mund të eliminohet nëse kemi një infrastrukturë të mirëfilltë ligjore dhe kapacitet të mjaftueshëm prej anës së Ministrisë për një vlerësim meritokratik dhe transparent të performancës së tyre, dhe jo vlerësim një herë në pesë vite, mirëpo vlerësim të performancës së vazhdueshme që rrit presionin po edhe e rrit përgjegjësinë tek mësimdhënësit për punën”, thotë Qehaja.
Edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, është kundër testimit të mësimdhënësve. Sipas tij, një gjë e tillë do të kishte vetëm efekte negative.
“Personalisht jam kundër një testimi të tillë, për shkak se konsideroj që këta mësimdhënës kanë marrë diploma universitare nga institucione legjitime të Republikës së Kosovës apo edhe të vendeve të tjera, pastaj janë licencuar si mësimdhënës po nga këto institucione legjitime të Republikës së Kosovës dhe tash ku është kuptimi që ne t’i fusim ata në testim përderisa kemi një menaxhim të cilësisë duke filluar nga drejtori i shkollës, pastaj inspektorët përkatës, por edhe koordinatorët e cilësisë brenda shkollave. Personalisht mendoj se kjo nuk do të ndikojë pozitivisht në motivimin e mësimdhënësve, por më tepër do të krijojë një lloj stresi ta quajmë tek ta, një lloj mospërfillje dhe në përgjithësi i shoh pasojat negative nga ky lloj testimi”, thotë ai.
Vite më radhë është kërkuar shtimi i numrit të inspektorëve të arsimit në mënyrë që të arrihet të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.