Arbëri

Dokumentet e “papublikuara” shtojnë paqartësitë rreth dialogut

Descriptive Text

Dialogu i deritashëm mes Kosovës dhe Serbisë ka prodhuar dhjetëra dokumente, shumë prej të cilave nuk janë bërë publike. Ka dyshime edhe për pozicionin që ka mbajtur pala kosovare në bisedime. Pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, se për dialogun informatat e sakta i ka marrë nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, paraardhësi i tij Avdullah Hoti ka insistuar se i ka vënë në dispozicion të gjitha marrëveshjet

Paqartësitë dhe mungesa e transparencës e kanë shoqëruar procesin e deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo u konfirmua edhe pas vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, prej ku tha se informatat e sakta për dialogun e deritashëm i mori vetëm nga emisari Miroslav Lajçak. Deklarata e kryeministrit nxiti reagime të opozitës, përfshirë paraardhësin e tij në krye të ekzekutivit.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka insistuar se i ka dorëzuar të gjitha dokumentet përfshirë edhe dakordimet e arritura.

“Të gjitha dokumentet i janë dorëzuar, përfshirë edhe disa dakordime të arritura. Por, në dialog ka vlejtur parimi se nuk dakordohemi për asgjë pa u dakorduar për të gjitha, përshirë çështjen e parë të dialogut që është njohja reciproke”, ka thënë Hoti për “Kohën”.

Ndër marrëveshjet e diskutuara që ka përmendur Hoti, por nuk janë bërë publike listohet çështja e të pagjeturve. Ish-qeveria pati deklaruar se ka dakordim për këtë pikë, por që asnjëherë nuk është zbardhur. Temat e tjera të diskutuara gjatë qeverisjes së kaluar janë edhe dëmet e luftës, pensionet dhe kursimet.

Faqet zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë kanë qenë platformat e vetme, ku janë publikuar disa prej marrëveshjeve.

Dokumenti i fundit në faqen e kryeministrisë është ai i datës 6 korrik 2017.

Aty përshkruhet gjendja në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, për të cilat nuk ka një shifër të saktë. Mbështetur në deklaratat e qeveritarëve, janë 33 sosh, shumica prej të cilave ende nuk kanë gjetur zbatim.

Dokumente për dialogun ka nxjerrë edhe institucioni i presidentit, që gjatë kohës që drejtohej nga Hashim Thaçi kishte marrë primatin në procesin e dialogut.

I tillë është dokumenti jozyrtar për Delegacionin Shtetëror të Republikës së Kosovës mbi fazën përfundimtare të dialogut për normalizim, të cilin e ka publikuar “KOHA”. Sipas tij, në të gjitha takimet pozicioni i Kosovës ka qenë në funksion të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme.

“Në të gjitha këto takime pozicioni i paraqitur i Kosovës ka qenë në funksion të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe që siguron anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Bazuar në këto qëllime, ne vazhdimisht kemi ripërsëritur qëndrimin tonë se një marrëveshje e tillë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të ketë karakter detyrues ligjor”, shkruan në këtë dokument.

Zyra e ish-Presidentit Thaçi kishte konfirmuar zyrtarisht, se deri më tani, BE-ja dhe të dy shtetet e përfshira në këtë proces, nuk kanë prodhuar asnjë dokument të shkruar zyrtar i cili do të mund të konsiderohej si një draft fillestar për marrëveshje. E çështjet e listuara për diskutim kanë qenë: Personat e pagjetur dhe të zhvendosur; Trashëgimia Kulturore; Prona; Të drejtat e minoriteve/ komuniteteve jo-shumicë e Bashkëpunimi ekonomik/infrastrukturor.

Edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka përmendur hartimin e një Platforme për dialog me Serbinë.

Megjithëkëtë, çështja e cila mund ta zbehë entuziazmin e palëve për një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse po konsiderohet Asociacioni i Komunave Serbe, kundër të cilit është Lëvizja Vetëvendosje.

Themelimi i këtij mekanizmi vazhdon të jetë edhe kërkesë e Bashkimit Evropian, duke rikujtuar se Kosova ka marrë obligime në marrëveshjen e prillit të vitit 2013, si dhe marrëveshjen e parimeve të Asociacionit më 2015. Por, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e asaj marrëveshjeje, duke kërkuar që përmirësimet e nevojshme të bëhen me rastin e draftimit të statutit.

Krahas dokumenteve zyrtare së fundi kanë qarkulluar edhe dy non-paperë, ku njëri flet për ndryshim kufijsh e tjetri për krijimin e distrikteve autonome brenda Kosovës. Ato janë refuzuar nga partitë në pushtet dhe opozita.

Përfaqësues të partive opozitare kanë kërkuar dialog me parime dhe transparencë.

“Mendoj që duhet të ketë transparencë procesi i dialogut dhe krejt çka duhet të diskutohet, duhet të ketë parime se çfarë do të dialogohet dhe çka nuk duhet, të shkohet të përgatitur. Të jetë një proces transparentë që para se të diskutohen të dihen temat nga qytetarët, por edhe deputetët t’i dinë ato, në mënyrë që procesi i dialogut të jetë krejtësisht transparent”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Qeveria që aktualisht është në proces të hartimit të programit, nuk e ka zbardhur ende Platformën dhe strategjinë që do ta ketë në raport me dialogun.

“Dykuptimësia konstruktive”, element ky i aplikuar në negociatat e lehtësuara nga Brukseli, u ka krijuar terren palëve që t’i interpretojnë versionet e tyre të marrëveshjes dhe drejtojnë gishtin kah njëra-tjetra për mosimplementimin e atyre për të cilat janë dakorduar. Për pasojë, shumë prej dokumenteve të dialogut vazhdojnë të mos gjejnë zbatim edhe pse janë negociuar e rinegociuar disa herë. Bashkimi Evropian në rolin e ndërmjetësuesit të procesit, deri tash vetëm ka njoftuar për takimet e mbajtura, përmes komunikatave për media, por nuk i ka interpretuar marrëveshjet.

Albin Kurti ka paralajmëruar me herët një rishikim të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, me qëllim të analizimit të shkallës së zbatimit të tyre nga ana e Serbisë, dhe siç thuhej, në bashkëpunim me BE-në, të shtrohen këto çështje në tavolinën e dialogut. Parashihej edhe miratimi i një platforme për dialog dhe e njëjta të miratohet në Kuvendin e Kosovës, me synim arritjen e 2/3 të votave, e cila do të përfshijë parimet, në bazë të të cilave duhet të zhvillohet dialogu.

Dialogu me Serbinë është çështja kryesore e politikës së jashtme që i përshkruhet qeverisë Kurti dhe kjo u kërkua edhe nga vizita zyrtare që kryeministri pati në Bruksel. Më 11 maj BE-ja kishte planifikuar një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, por që është shtyrë për më vonë, pasi Kurti tha se nuk është njoftuar paraprakisht për këtë takim.

Përveç qeverisë, në procesin e dialogut do të angazhohen edhe ekspertë të jashtëm.

Grupi për Ballkan (BPRG), Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë, tashmë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton modalitetet për angazhimin e tyre.

Sipas këtij, memorandumi, ekspertët e angazhuar ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe përmbajtjesore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion Kryeministrit, kabinetit të tij dhe Zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Veton Surroi, Robert Muharremi e Muhamet Mustafa. Grupi për Ballkan (BPRG), ka njoftuar se grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala, ish-këshilltar i presidenti Hashim Thaçi.