Arbëri

MASHTI e SBASHK-u akuzojnë njëra tjetrën për kërcënime

Foto: Driton Paçarada / Koha

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka reaguar ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, e cila të enjten tha se kjo sindikatë ka një pjesë të fajit për rezultatet e ulëta në arsim dhe shtoi se kërcënimet duhet të marrin fund, teksa iu përgjigj kërkesës së SBASHK-ut për pagesë shtesë edhe për mësimin plotësues.

Reagimin e Nagavcit, SBASHK-u e ka vlerësuar si të veshur me mllef e akuza që nuk qëndrojnë, duke shtuar se ajo nuk ka ofruar asnjë fakt se SBASHK-u është përgjegjës për rezultatet e ulëta në arsim.

“SBASHK nuk ka qenë kreator i reformave, as i kurrikulit, as përpilues e botues i teksteve shumë të kritikuara shkollore e as nuk shpall konkurse e as nuk pranon kuadro në arsim. SBASHK-u as nuk solli vendim që të lirohen nga puna punëtoret shtatzëna e as që ato të zëvendësohen me studentë, kur në Kosovë ka mjaft kuadro të diplomuara që janë duke pritur me vite për të punuar bile ca ditë a javë në arsim”.

Ministren e kanë këshilluar të “ruhet nga deklarimet që lexohen si kërcënim”, duke e theksuar fjalinë e djeshme të Nagavcit: “Në këtë kohë kur shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë jo vetëm në Kosovë por gjithandej në botë, mësimdhënësit duhet ta ndjejnë veten me fat që janë në marrëdhënie pune”.

Kjo fjali, thotë SBASHK, po përsëritet shpesh, porse kanë shtuar se nuk u dorëzohet “shantazheve e as përpjekjeve të dikujt” që ka tentuar ta dëmtojnë sindikatën.

“Ju duke e përsëritur shpesh këtë deklaratë tuajën sikur po dërgoni mesazh si disa pronarë të firmave private që u thonë të punësuarve, kurdo që ata ankohen arsyeshëm, se duhet të heshtin e të ndihen mirë që janë në punë, se njerëz të papunë ka mjaft”.