Një 19-vjeçar përballet me akuzën për vrasje të shkallës së parë lidhur me therjen me thikë të dy grave shqiptare në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat i kishte ndjekur deri në shtëpi dhe më pas i kishte sulmuar, ka bërë të ditur policia.
Departamenti i policisë në Largo ka bërë të ditur se agjentët dyshojnë se Sage Gayle Curry ka ndjekur viktimat deri në shtëpi apo afër bllokut të banimit 100 në Avenynë e Tetë, pasi t’i ketë parë në publik.
Autoritetet kanë gjetur Curreyin, pasi që një fqinj ka lajmëruar shërbimin policor. Kur policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, aty ka gjetur dy gratë e vdekura, të shtrira në dyshemenë e shtëpisë.
Sipas policisë, Currey ka thënë se në shtëpi kishte hyrë nëpërmjet dritares. Ndërkaq në raportin e policisë është bërë e ditur se ai ka therur gratë “me thikën më të mprehtë që ka mundur të gjente”.
Dorasi ka therur viktimën e parë në gjoks, pasi që atë e kishte zënë gjumi. Më pas, e ka therur edhe disa herë në fytyrë dhe qafë, teksa gruaja e dytë ishte munduar që t’i dilte në ndihmës asaj.
Currey është larguar nga shtëpia, i lënduar, dhe ka kërkuar ndihmë prej një miku, i cili më pas ka lajmëruar policinë, kanë njoftuar autoritetet.
“Sulmi besohet të jetë një akt rastësor”, ka bërë të ditur policia në Largo. Megjithëkëtë, është bërë e ditur se “gjërat mund të ndryshojnë”, teksa hetimet janë duke vazhduar.
“19-vjeçari nuk kishte lidhje miqësore me gratë”, thuhet në njoftimin e policisë, e cila nuk ka specifikuar se si ai ka pësuar lëndime.
Departamenti i Policisë në Largo nuk ka zbardhur identitetet e viktimave, as moshën apo marrëdhënien mes tyre. Mirëpo viktimat është bërë e ditur se kishin mërguar nga Shqipëria.
Një fqinj, i cili ka deklaruar se e njihte njërën prej viktimave, ka thënë se që të dy gratë synonin që të kishin një jetë të qetë. Ai ka theksuar të mos ketë dëgjuar kurrë se ato e kanë shqetësuar ndokënd.
Të dhënat policore kanë treguar se Curreyi kishte shfaqur shenja të problemeve mendore, por se nuk kanë ofruar hollësi të tjera. Ai ka përdorur alkool apo narkotikë, specifikohet në raportin policor.