Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që të pajisin me vendime individuale secilin mësimdhënës që angazhohet në mësimin plotësues.
Ata po ashtu kanë kërkuar edhe pagesë të orëve plotësuese nëse të njëjtat e kalojnë normën javore prej 20 orë mësimi.
Në të kundërtën SBAShK-u sipas njoftimit do t’u bëjë apel mësimdhënësve që të mos e fillojnë mësimin plotësues.
“SBASHK i drejtohet Drejtorive Arsimore që përmes drejtorëve të shkollave të pajisin me vendime individuale secilin mësimdhënës që e angazhojnë në mësimin plotësues duke precizuar sa orë do t’i mbajnë, në cilën kohë e në cilin vend. DKA-të të mos harrojnë se norma javore është 20 orë mësimi dhe se në Kontratën Kolektive të Arsimit saktësohet se çdo orë e mbajtur mbi këtë normë duhet të paguhet si orë e rregullt. Në të kundërtën SBASHK u drejtohet me apel anëtarësisë , pra punëtorëve në Arsimin Parauniversitar , që të mos fillojnë me mësimin plotësues”, thuhet në reagimin e SBAShK-ut.
Sipas tyre, pandemia ka sjellë vështirësi të mëdha edhe në sistemin arsimor dhe janë bërë angazhime të mëdha të gjithë të punësuarve në arsim për rrjedhë sa më të mbarë të mësimit.
SBASHK-u ka thënë se gjithë këtë situatë e ka rënduar edhe më shumë Vendimi i MASHTI-t i datës 20.04. 2021 për organizimin e mësimit plotësues për nxënësit që kanë ngecje në arritjen ne rezultateve si pasojë e pandemisë Covid 19.
“Me këtë vendim nuk është pajtuar SBASHK dhe këtë e ka bërë publike duke pritur që të deklarohen edhe DKA-të dhe drejtoritë e shkollave sepse ky vendim nuk është i qëlluar e veçmas tani kur situata është e rënduar nga Covid dhe se nuk është arritur të sigurohet vaksinimi i të punësuarve në arsim dhe se do të jetë sukses e shkuar sukseseve nëse arrijmë të realizojmë mësimin e rregullt në institucione arsimore pa pasur nevojë të kalohet në mësimin nga larg”, thuhet në njoftim.