Arbëri

Osmani: Do të sigurohen vaksinat për qytetarët tanë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vaksinat për COVID-19 do të sigurohen.

Kjo, ka thënë Osmani, do të bëhet me angazhimin e institucioneve përkatëse dhe në koordinim me shtetet mike nga të cilat është kërkuar mbështetje.

Pa bërë të ditur nëse është arritur ndonjë marrëveshje për dërgesa të reja të dozave apo informacion lidhur me vaksinat, Osmani ka shkruar vetëm se ato do të sigurohen.

“Nuk ka prioritet më të rëndësishëm se sa shëndeti i qytetarëve tanë dhe sigurimi i vaksinave kundër Covid-19. Prandaj kemi koordinim të vazhdueshëm me Ministrin e Shëndetësisë, z.Arben Vitia, për këto çështje.

Me punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të Ministrisë dhe të të gjitha institucioneve përkatëse si dhe në koordinim të vazhdueshëm me shtetet mike nga të cilët kemi kërkuar mbështetje, do të sigurohen vaksinat për qytetarët tanë dhe së bashku do t'ia dalim ta mundim Covid-19”, ka shkruar Osmani në Facebook.