Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk do të japë dorëheqjen për t’ju kthyer Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), siç kishte paralajmëruar në prag të zgjedhjeve në Shqipëri.
Meta gjatë fushatës tha se nëse Edi Rama fiton edhe një mandat me PS-në, atëherë do të dorëzojë postin dhe t’i përkushtohet partisë.
“Deri tani zgjedhjet janë cenuar rëndë vetëm nga Edi Rama. Unë apeloj nga ky moment që të gjithë të reflektojnë, në mënyrë që të lejojmë shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të lirë. Nëse ai merr 71 mandate, unë firmë për kryeministër nuk i jap, por do i jap dorëheqjen time. Unë e respektoj vendimin e popullit. Unë dal në bulevard dhe ia lë zyrën atij”, pati thënë Meta.
Por sot, zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi, ka dal me një njoftim, ku tha se presidenti do të mbetët në zyrë deri më 24 korrik 2022.
“Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor. Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”, ka shkruar Blushi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.