Arbëri

Serbia i reagon Osmanit për “non-paperin”

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar në deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që një ditë më herët duke komentuar “non-paperin” për këto dy vende, tha se “çdo ide që për qëllim ka destabilizimin e vendit, burimin e ka në Beograd”.

E “non-paperi” i publikuar nga KOHA, e që sipas informacioneve të saj, është përgatitur nga Gjermania e Franca, sipas Osmanit ka këtë qëllim, pasi prek rregullimin territorial e kushtetues.

“Ky është vetëm një tentim perfid i Prishtinës për të kamufluar autorin e vërtetë të këtij ‘non-paperi’. Më mirë do të ishte që Prishtina të përgatitej më mirë për dialog, e Albin Kurti gjatë takimeve të sotme në Bruksel, të sillej në frymën e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, se sa të shpenzojnë energjinë në lajme të rreme. Beogradi mbetët i vendosur që dialogu është e vetmja rrugë për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme dhe të qëndrueshme”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Non-paperi” ku flitet për mënyrën se si do të duhej të arrihej marrëveshja Kosovë – Serbi, nuk është mohuar, ndonëse ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë, kanë thënë se qeveritë që përfaqësojnë nuk qëndrojnë pas këtij dokumenti.