Arbëri

Shoqëria civile kërkon të bëhet pjesë e procesit të dialogut me ftesë të Qeverisë

“Se si do të inkuadrohet shoqëria civile në dialog varet prej shoqërisë civile”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Ndonëse u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me shoqërinë civile, Kurti pranoi se ai nuk ka ndonjë plan se si mund ta bëjë atë pjesë të dialogut me Serbinë.

Por disa organizata joqeveritare thonë se pikërisht Kurtit i takon ta hartojë një tillë, pasi barra e dialogut bie mbi Qeverinë.

“I takon qeverisë që t'i bëjë thirrjet edhe për opozitën edhe për shoqërinë civile dhe në anën tjetër duhet të sigurohet që të krijohet hapësira e mjaftueshme në mënyrë që këto grupe të kenë hapësirë të mjaftueshme për të kontribuuar në këtë proces”, ka deklaruar Emir Abrashi nga Organizata “Demokraci plus”.

Pjesëmarrjen e anëtarëve të shoqërisë civile Abrashi e vlerëson tejet të rëndësishme për procesin.

Por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 2019, i cili përgjegjësinë për procesin e dialogut ia njeh vetëm Qeverisë, Abrashi shton se shoqëria civile mund të jetë pjesë vetëm e diskutimeve teknike.

“Përfshirja eventuale e opozitës dhe shoqërisë civile mund të bëhet vetëm në grupe teknike dhe nivel ekspertësh mirëpo jo në nivel politik aty ku bëhen edhe diskutimet. Mirëpo ajo çfarë është e rëndësishme është Qeveria çfarëdo zotimesh që merr nga Brukseli apo çfarëdo propozimesh që merr të jetë transparente dhe t'i sjellë në Kuvend”, ka shtuar Abrashi.

Ekzekutivi akoma nuk ka hartuar platformën shtetërore ku argumentohen kërkesat e Kosovës në dialog.

Instituti EPIK tërheq vërejtjen se pjesëmarrja e tyre nuk duhet të jetë e atypëratyshme, por sistematike dhe e strukturuar që nga fillimi e deri në fund të procesit.

“Përfshirja duhet të jetë që nga definimi i platformës dhe strategjisë për dialogun me Serbinë deri te definimi i atyre vijave të kuqe se çfarë është e pranueshme e papranueshme e deri te çështjet tematike, sektoriale”, ka thënë Demush Shasha nga Instituti EPIK.

Megjithatë Shasha thotë se Qeveria duhet të mirëkuptohet pasi është në ditët e para dhe se i duhet edhe një kohë e caktuar për të marrë një qëndrim për dialogun.

Të mërkurën kryeministri Kurti do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të BE-së, kurse dy javë më vonë, më 11 maj, është caktuar data për takimin e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.