Një nënkolonel ka qëlluar veten për vdekje, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se bëhet fjalë për nënkolonelin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Skënder Hajdari.
“Po mund të konfirmoj se nënkoloneli nga Mitrovica, Skënder Hajdari, e ka qëlluar veten me armë zjarri dhe ka vdekur. Me rastin është duke u marrë Policia e Kosovës dhe me kohë do të njoftoheni për detajet e tjera”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Flamur Arifaj.
Sipas Arifajt, rasti ka ndodhur në fshatin e të ndjerit, në Zjaçë të Mitrovicës, në orët e pasdites.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë informacionin se një person është vetëplagosur me armë në një zonë malore pas orës 11:00 dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Pasi u dërgua në spital, u konfirmua se i njëjti ka vdekur.
“Në vendin e ngjarjes i plagosur nga arma është hasë viktima S.H., 48 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili është dërguar me emergjencë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, më pas është dërguar për tretman në QKUK. Në cilësi të provave materiale janë gjete dhe sekuestruar një armë e llojit Pistoletë dhe një gëzhojë. Ndërsa rreth orës 15:00, nga QKUK është raportuar se viktima S.H., ka vdekur. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML. Rasti është iniciuar dhe po hetohet si vdekje e dyshimtë”, ka njoftuar Policia e rajonit të Mitrovicës.