1 perditesime
23:35

Hoxha: Dialogu domosdoshmëri, VV-ja do t’i bëjë të gjitha që i kundërshtoi sa ishte në opozitë

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se dialogu është domosdoshmëri dhe Qeveria Kurti e ka për detyrë ta udhëheq atë, pavarësisht se gjatë fushatës kryeministri i tashëm nuk e përmendi shumë dhe e listoi ndër temat më pak të rëndësishme në listën e prioriteteve.

Hoxha në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se VV-ja do të bëjë gjithë atë që sa ishte në opozitë e kundërshtonte.

“Dialogu është domosdoshmëri. Problemi është se Kurti gjatë fushatës, e kishte prioritet të shtatë, por po e shohim që dalja e parë e tij jashtë regjionit do të jetë për dialogun. Dialogu është domosdoshmëri, e përsëris, dhe ai duhet ta vazhdojë aty ku ka mbetur, me gjithë të mirat apo dobësitë, apo edhe kërkesat nga Serbia. Duhet ta kuptojnë si ti të tillë, pasi procesi i dialogut sa më shpejt që mbyllet, Kosova do të ketë mundësi të reja, edhe të politikë bërjes, por edhe të zhvillimit të proceseve të brendshme. Kemi mbetur peng edhe për liberalizimin e vizave, edhe Serbia ka mbetur, nuk mund të hyjë në BE. Është domosdoshmëri e dy palëve”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka kritikuar kryeministrin dhe Qeverinë që udhëheq ai për mungesë të platformës për dialogun, por edhe për mungesë të programit qeverisës.

“Të presim e të shohim se si është platforma e Kurtit për këtë proces. Duke mos pasur një program, e kemi të vështirë të bëjmë edhe opozitën. Për 30 ditë, atë që kemi pa, në fakt kemi pa edhe në mandatin e kaluar për ato pak ditë sa ka qenë në qeverisje, por sidomos në këto 30 ditë, kanë ra krejt perdet, për gjithçka që ka bërë zhurmë, do t’i bëjë VV-ja”, ka thënë Hoxha.

23:22

Hoxha: Masat janë të padobishme, të mendohet mirë se si të veprohet tutje

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kundërshtuar masat e vendosura nga Qeveria.

Ajo ka thënë se kanë mundur që në fillim të bëhen skemat e lokaleve, të cilat sipas saj kanë mundur të punojnë me kapacitet të përgjysmuar.

Hoxha në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është e kotë të limitohet koha, pasi sipas saj, virusi nuk del në një kohë të caktuar.

“Kanë mundur të kërkohen opinione nga njerëz kompetentë. Masat e rrepta të tilla, orë policore e gjëra tjera, janë të padobishme. Përveç rëndesës fizike, janë edhe ajo psikologjike edhe ekonomike. Duhet pyetur se pse ka kaq shumë raste të dhunës në familje e dhunës në përgjithësi, është bërë e tepërt. Duhet të mendohet mirë se si të veprohet tutje”, ka thënë ajo.