Arbëri

Rritet siguria për Abazoviqin pas informacioneve se u planifikua vrasja e tij

Descriptive Text

Protokolli i shtetit i Malit të Zi ka vendosur të forcojë sigurimin fizik për zv.kryeministrin e këtij vendi, Dritan Abazoviq, pasi ka sinjale se grupi kriminal i Kavaçit, një prej dy grupeve më të mëdha në këtë vend, ka planifikuar vrasjen e tij, shkruan gazeta “Vijesti” të hënën.

Ministria e Punëve të Brendshme (MUP) e Malit të Zi pretendon se, duke e hetuar vrasjen e Zoran Ashaninit, e ndodhur dje në Mojkovac, ka ardhur deri te këto informacione.

"Informacioni i mbledhur tregon qëllimin e anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, kryesisht anëtarëve të grupit të organizuar kriminal Kavaç për të ndërmarrë aktivitete që synojnë kryerjen e krimit të rëndë dhe të organizuar si reagim ndaj burgosjes së liderit të grupit Slobodan Kashqelan, duke rrezikuar jetën e zv.kryeministrit të Malit të Zi, Z. Dritan Abazoviq", njoftoi Ministria e Brendshme, përcjell “Vijesti”.

Gjatë fundjavës, lideri i grupit të Kavaçit, me bazë në Kotor u arrestua.  Ky dhe grupi tjetër kriminal, Skalar, po ashtu nga Kotori, janë më të mëdhenjtë në Mal të Zi. Gjatë luftimeve mes grupeve për territor, kanë humbur jetën të paktën 30 persona, sipas mediave në Mal të Zi.