Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, ka paralajmëruar greva e protesta të pensionistëve pas vendimit të Qeverisë Kurti që shtesat për pensionistët të jenë 10 euro në muaj dhe jo 30 siç ishin në vendimin e mëhershëm që skadoi në muajin prill.
Kajtazi e ka quajtur të papritur vendimin e fundit të Qeverisë. Sipas tij, pensionistët në Kosovë janë anashkaluar e nënçmuar nga institucionet që 20 vjet. Në një deklaratë për “EkonomiaOnline”, Kajtazi ka thënë se i kanë bërë kërkesë me shkrim për takim kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Ky vendim ka qenë i papritur për faktin se në Kosovë janë mbi 180 mijë pensionistë. Prej tyre janë 140 mijë pensionistë bazikë që marrin pension social. Kështu që ky vendim ka ndikuar shumë në disponimin e tyre. Ata janë të zhgënjyer. Ndoshta Qeveria ka menduar që për një kohë të gjatë të ngrisë pensionin në 10 euro, por 10 euro nuk është kurrfarë vlere te pensionistët bazikë për shkak se ata i kanë 90 euro dhe u shtohen 10 që nuk është bazë për jetën e tyre”, ka thënë ai. “Ne, duke e marrë parasysh se Qeveria janë djemtë dhe vajzat tona, ne u kemi ikur protestave, por kemi ardhur në atë pozicion që ata s’po na kuptojnë dhe nëse vazhdon ky trend i kujdesit ndaj pensionistëve nuk na mbetet asgjë veç të marrim të gjitha masat që i lejon demokracia, deri te protestat, grevat dhe masat tjera, edhe pse s’na ka hije sepse jemi të moshuar dhe e dimë se çfarë është të dalim kundër djemve e vajzave tona, por qeveria është e jona e ajo s’po mendon për neve”.
Sipas Kajtazit, pa u miratuar Ligji për sigurime pensionale e invalidore, çështja e pensionistëve nuk do të konsiderohet e zgjidhur.
Lidhur me vendimin e fundit të Qeverisë Kurti ka reaguar edhe opozita, me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që ka paralajmëruar interpelancë të ministrit Murati.
E ministri Murati ka thënë se vendimi i Qeverisë paraprake pas muajit prill nuk kishte planifikuar vazhdimin e dyfishimit të ndihmës sociale dhe shtesat prej 30 eurosh për pensionistët që marrin më pak se 100 euro. Ai ka shtuar se Qeveria ka ndarë 8.5 milionë euro për të mbështetur skemat e pensioneve nën 100 euro dhe familjet në asistencë sociale.
“Sa u përket shtesave për pensionet bazike, Qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars). Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi. Ministria ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro - e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro - të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro”, ka thënë Murati.
Murati ka shtuar se këto shtesa do të vazhdojnë gjatë tërë vitit, ndonëse në vendim thuhet se ato vlejnë vetëm për muajt prill, maj dhe qershor.