1 perditesime
12:17

Mbrojtja e Shalës: Deri tani ka qenë procedurë e njëanshme, tani dëshirojmë ballafaqim të palëve

Ka filluar seanca paragjyqësore nga ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shala.

Avokati i tij, Jean-Louis Gilissen, ka thënë se mbrojtja ende nuk ka një afat kohor të përcaktuar se kur do të kryej aktivitetet hetimore. Ka kërkuar që t'u vihen në dispozicion provat në mbështetje të aktakuzës sa më shpejt.

“Në seancat e mëpasshme që do zhvillojmë mbi ecurinë e çështjes, një problem i madh është nxjerrja e materialeve në mbështetje të aktakuzës, sepse ne e kemi marrë propozimin nga prokuroria, por kërkojmë që provat në mbështetje të aktakuzës të na vihen në dispozicion sa më shpejt, maksimumi brenda 30 ditësh pas paraqitjes paraprake të të akuzuarit. Deri tani ka qenë një procedurë e njëanshme, sigurisht që këtë e kuptojmë, por tani dëshirojmë të kemi një procedurë ballafaquese, pra me pjesëmarrjen e të dyja palëve”, ka thënë ai.

Avokati ka kërkuar ballafaqimin e palëve në seancën e radhës, duke kërkuar parashtrimet e proceduarave të shkuara dhe informacion mbi emrat e viktimave.

“Emrat e viktimave sidomos ata që pretendohen se kanë vdekur, është shumë e rëndësishme që t’i dijë z. Shala, prandaj kërkojmë që përveç redaktimeve që kanë të bëjnë me dëshmitarë duam të kemi procedurë të pakushtëzuar në ballafaqim mes dy palëve sa i përket të shkuarës. Kjo do të thotë se të gjitha parashtrimet e protokolluara që kanë shkuar deri te arrestimi i z. Shala pa asnjë redaktim, me përjashtim të redaktimeve që i përmenda. Këto dokumente janë ato që do na japin mundësi të punojmë në mënyrë efektive”, tha ai.

12 dëshmitarë parashihet të paraqiten në rastin e Pjetër Shalës

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se parashihet që të dëgjohen 12 dëshmitarë në rastin e Pjetër Shalës.

“Na kanë mbetur shumë pak hapa hetimorë në këtë proces. Nuk parashikojmë që këto hapa ta vonojnë më tej procesin. Ne kemi paraqitur katër dëshmitarë me materialet që mbështesin aktakuzën dhe parashikojmë të paraqesim maksimumin edhe tetë dëshmitarë shtesë”, ka thënë përfaqësuesja e ZPS-së.

08:16

Pjetër Shala sot paraqitet në seancë paragjyqësore në Speciale

Seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shala, do të mbahet sot.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se seanca do të fillojë nga ora 11:00, të premten.

Shala, i njohur në luftë si “Komandant Ujku”, është paraqitur për herë të parë para Gjykatës Speciale të hënën.

Ish-eprori i UÇK-së, akuzat ndaj tij i ka cilësuar qesharake, ndërsa është deklaruar i pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohet.

Ai akuzohet për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje të paligjshme, të kryera gjatë luftës.