Arbëri

PDK-ja do të kërkojë në Kuvend mbështetjen financiare të kategorive të rrezikuara nga pandemia

Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur skandaloz dhe të ngutshëm vendimin e Qeverisë mbi shtesat e ndara për mjekët, stafin mbështetës shëndetësor dhe për pensionistët.

Deputetja PDK-së, Floretë Zejnullahu, ka thënë se ky vendim nuk është i drejtë.

“Vendimin e Qeverisë Kurti e konsiderojmë skandaloz, të ngutshëm dhe goditje të madhe ndaj heronjve të pandemisë, mjekëve e punëtorëve shëndetësorë e ndaj gjyshërve tanë që kanë qenë më të rrezikuarit në pandemi. Vendimi për të ulur shtesat e mjekësve dhe infermierët për 50 për qind dhe për të ndarë vetëm 100 euro për stafin mbështetës dhe teknik është jo i drejtë dhe i papranueshëm”, ka thënë ajo në konferencë për media.

Ajo ka thënë se në seancë e ardhshme të Kuvendit, PDK-ja do të kërkojë që punëtorët shëndetësorë, pensionistët e kategoritë e tjera të mbështeten financiarisht.

“Në seancën e ardhshme të Kuvendit, me kërkesë të PDK-së ku do diskutohet për situatën me pandeminë, do kërkojmë që kategoritë e rrezikuara të stimulohen dhe mbështeten financiarisht, ku përfshihen mjekët, punëtorët shëndetësore, pensionistët, policët, etj”.

Zejnullahu ka thënë se “Qeveria ka dështuar të mbështesë financiarisht punëtorët, familjarët e bizneset, duke u ofruar lëmoshë por jo mbështetje të njëmend”.

Siç ka thënë ajo, Qeveria po e dërgon vendin drejt kolapsit ekonomik.

“Ky është përçmimi i radhës që qeveria Kurti ia bëri qytetarit. Mungesa totale e vizionit për të qeverisur, e shoqëruar nga papërgjegjësia dhe populizmi, qytetarin e ka vendosur në limitet e ekzistencës së tij të përditshme. Qeveria Kurti me vetëdije po e çon drejt kolapsit ekonominë vendit, po humb vende pune dhe po rrezikon mijëra familje”, ka shtuar ajo.