Arbëri

Kurti javën e ardhshme shkon në Bruksel, s’takohet me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të ketë takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian në Bruksel gjatë javës së ardhshme, kanë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, Qeveria ka mohuar se në Bruksel do të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që po ashtu pritet të ketë takime me përfaqësues të BE-së në javën e ardhshme.

“Kryeministri Albin Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim mes kryeministrit Kurti dhe zotit Vuçiq”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kosova dhe Serbia s’janë takuar në kuadër të dialogut qysh nga muaji shtator, kur në Bruksel u patën takuar ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe Vuçiqi.