Arbëri

Policia heton grafitet për Graincën

Policia e Kosovës është duke hetuar rastin e shkrimit të grafiteve në Ferizaj të cilat i dedikohen deputetes Adelina Grainca e cila kaloi nga Grupi Parlamentar i PDK-së në atë të Vetëvendosjes.

“Është raportuar se persona të panjohur në disa lokacione kanë shkruar disa grafitë. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Të martën në mbrëmje në muret e oborrit të saj është shkruar mbishkrimi “Bijat i shesim, votat i qesim”, për të cilat familja e Graincës ka hedhur dyshime se këto janë bërë nga PDK-ja.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se këto grafitë janë realiteti i mizogjenisë në politikën kosovare, sipas së cilës vajzat dhe gratë nuk konsiderohen të denja për vendimarrje pos si valutë për shkëmbim dhe zbatim të urdhrave të partisë.

“Nëse ky akt i shëmtuar nuk denohet nga grupimi politik pjesë e të cilit ishte Adelina deri para zgjedhjes së Presidentes, atëherë aty qëndron vetë përgjigja e largimit të saj nga ata, në mënyrën se si një parti e konsideron dhe trajton një vajzë të re me mendim ndryshe”, ka shkruar ajo.

Në tjetër, PDK-ja ka mohuar se i ka bërë grafitet në shtëpinë e Graincës, e ndër të tjera ka ftuar edhe Policinë ta hetojë Lëvizjen Vetëvendosje për këtë.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi ka thënë se vet reagimi i VV-së tregon se kush qëndron mbrapa këtyre grafiteve.

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike. Për këtë arsye ky sulm është i pa pranueshëm për ne. Ne ftojmë Policinë e Kosovës që të hetojnë këtë rast duke ju sugjeruar që intervistimet t’i fillojnë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që siç̧ duket kjo parti vetëm pas disa ore i kanë ‘identifikuar’ autorët”, ka thënë ai.

Partia Demokratike që prej kalimit të Graincës në LVV, ka kërkuar nga ajo që ta dorëzojë mandatin.