Arbëri

Për 445 nga 1.406 vrasje për 21 vjet ende nuk u dihen kryerësit

Edhe dy muaj bëhen plot 7 vjet që nga vrasja e kandidatit për deputet të Kuvendit të Kosovës, Elvis Pista. Por, edhe pas tërë këtyre viteve, institucionet e drejtësisë nuk kanë arritur që ta gjejnë kryerësin e veprës penale.

Pista, më 15 qershor të vitit 2014, ishte vrarë në hyrje të një restoranti në Rahovec. Familjarët e tij, përmes telefoni kanë thënë se ende nuk e kanë asnjë informacion në lidhje me vrasjen e tij, derisa kanë treguar se në 4 vjetët e fundit madje nuk i ka telefonuar askush nga hetuesia.

E, rasti i Elvis Pistës, është në mesin e 445 rasteve të tjera të vrasjeve në Kosovë, të ndodhura nga viti 2000 e deri në janar të 2021-s, e të cilave ende nuk u dihen kryerësit.

Kjo është vetëm njëra nga gjetjet që evidentohet në raportin hulumtues “Trajtimi i vrasjeve në Kosovë: Politika e ndjekjes dhe gjykimit në rastet e vrasjeve” të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Mbi 30% e rasteve të vrasjeve në Kosovë, janë të pazbardhura nga ana e sistemit të drejtësisë, apo çdo e treta vrasje që ka ndodhur është e pazbardhur ende”, ka deklaruar Gëzime Hashani, autore e hulumtimit.
Sipas Hashanit, edhe procedurat gjyqësore janë përcjellë me mangësi të shumta, e që është vërejtur edhe mungesë efikasiteti e profesionalizmi. Ndërsa, përmendet edhe shkatërrimi i provave, si një ndër kritikat për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Gjetje tjetër e këtij raporti është politika ndëshkimore. Politika ndëshkimore nuk është në përputhje me udhëzuesit e politikave ndëshkimore të miratuar nga Gjykata Supreme në vitin 2018, edhe 3 vite pas miratimit të tij kjo mbetet në letër”, ka shtuar ajo.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka rekomanduar edhe formimin e një mekanizmi të veçantë që do të merrej vetëm me rastet e vrasjeve brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës. Nga viti 2000 e deri në janar të vitit 2021, kanë ndodhur gjithsej 1,406 vrasje në Kosovë, e vetëm më 2020-n kanë qenë 27 raste të vrasjeve.