Arbëri

Ipeshkvi Gjergji pas sulmit në xhaminë e Tiranës: Aktet e tilla s’duhet të ndodhin në shoqërinë tonë

Foto: Ksp

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji pas sulmit që ndodhi sot në xhaminë e rrugës së Kavajës, në kryeqytetin e Shqipërisë, ku mbeten të plagosur pesë persona, i ka dërguar një letër solidariteti, kryetarit të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, ku ka shprehur bindjen se personi i cili ka shkaktuar këtë tragjedi, do të marrë përgjigjen e merituar para organeve të drejtësisë.

Në letrën e tij, Dodë Gjergji ka theksuar se aktet e tilla të dhunës dhe kërcënimi i jetëve të njerëzve nuk duhet të ndodhin në asnjë realitet të shoqërisë sonë, e aq më pak në vendet e kultit dhe në muajin e Ramazanit.

“Shumë i nderuar z. Spahiu, me hidhërim dhe me pikëllim të thellë mora lajmin për ngjarjen e shëmtuar që sot ka ndodhur në Xhaminë e rrugës së Kavajës, në kryeqytetin e Shqipërisë, ku pesë besimtarë të Bashkësisë Tuaj mbetën të plagosur. Jam i bindur që personi, i cili e ka shkaktuar këtë tragjedi, do të merr përgjigjen e merituar para organeve të drejtësisë në Shqipëri, por edhe personalisht, dëshiroj të gjykoj këtë akt të papranueshëm për gjithë ne shqiptarët, pa marrë parasysh cilit besim i takojmë. Aktet e tilla dhune dhe kërcënimi të jetëve të njerëzve nuk duhet të ndodhin në asnjë realitet të shoqërisë sonë, e aq më pak në vendet e kultit dhe në muajin e Ramazanit”, thuhet në njoftim.