Arbëri

Bilanci i tetë vjetëve - marrëveshja Kosovë-Serbi e pazbatuar plotësisht

Descriptive Text

Shumë pika të Marrëveshjes së ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbesin të pazbatuara, edhe tetë vjet pas nënshkrimit të saj në Bruksel. Njohës të këtij procesi thotë se ajo marrëveshje nuk i solli rezultatet e premtuara, derisa skepticizëm ka edhe sa i përket arritjes së një ujdie finale për njohje reciproke

Janë mbushur tetë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ende nuk është zbatuar plotësisht. Marrëveshja atëbotë ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiqi i Serbisë.

Gjashtë pikat e para, nga 15 sosh, flasin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo vazhdon të jetë kërkesa kryesore e serbëve që pritet të ngrihet edhe në fazën e ardhshme të dialogut.

Në vizitën e fundit në Prishtinë e Beograd, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e bëri të qartë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin.

Ndërsa pritet rinisja e këtij procesi pas krijimit të Qeverisë së re, ende mungon një skenim dhe vlerësim i marrëveshjeve të deritashme. Mungesa e transparencës dhe “dykuptimësia konstruktive” kanë shoqëruar procesin e deritashëm të dialogut.

Veç Asociacionit, simboli i ndarjes së qytetit të Mitrovicës, ura mbi lumin Ibër vazhdon të jetë e mbyllur.

Njohës të këtij procesi gjatë një debati online, organizuar nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, kanë thënë se Marrëveshja nuk i eliminoi strukturat paralele në veri.

“Tetë vjet pas ende nuk kemi transparencë në procesin e dialogut. Kur mungon kjo nuk ka as gjithëpërfshirje. Ka pasur shumë marrëveshje që janë konsideruar historike, edhe pse nuk kanë qenë të tilla dhe ka pasur dështim në zbatim. Tani po hyjmë në një fazë politike ku do të diskutohen çështje më të vështira. Prandaj duhet të jemi kreativë dhe të rikonsiderohen ato që janë arritur deri më tani”, ka thënë Donika Emini nga Platforma Civikos.

Kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, ka folur për ngecjet në dialog.

“Do të shohim takime, por jo edhe progres i cili është duke munguar për shumë vjet. Ka pasur regres drejt asaj nëse qëllimi final është normalizimi i marrëdhënieve. Ne kemi pritur dhe do të duhej që Lajçak si emisar i dialogut të vinte me një strategji më të qartë dhe kornizë se si e sheh ai procesin më tej dhe të qartësohen gjërat prej kohës së Mogherinit. Nëse i shohim deklaratat e zyrtarëve të Beogradit, ka ambiguitet dhe nëse vazhdojmë procesin me këtë format, kjo do të na largojë më shumë nga marrëveshja finale”, ka thënë ai.

Kurse Tatjana Lazarev nga portali “Kossev” ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit nuk e ndali dhunën në veri.

“Nuk qëndron duartrokitja e Evropës se demokracia ka fituar dhe se Marrëveshja e Brukselit është e pranuar. Shpërbërja e institucioneve të Serbisë ka qenë kundër vullnetit të banorëve në katër komunat veriore. Institucionalisht dhe politikisht veriu është fituar me forcë nëpërmjet Beogradit në shtetin e Kosovës. Në thelbin e një krijimi të tillë mund të pritet kjo pikë në të cilën ndodhemi tani. Kemi paralajmëruar që në fillim se kjo kultivon një vullnet hibrid ku e ardhmja mund të jetë edhe më e keqe”, ka deklaruar ajo.

Ish-udhëheqësi i dialogut teknik nga Qeveria e Serbisë, Borko Stefanoviq, ka deklaruar se asnjëra palë nuk është e interesuar për një marrëveshje finale.

“Kjo është negative, pasi palët janë vendosur në pozicione të betonuara. Kemi një qeveri në Prishtinë që është e fokusuar në gjithçka tjetër, përveç dialogut. Në anën tjetër, presidenti Vuçiq është izoluar në një retorikë nacionaliste e cila u ngjason viteve ‘90. Zgjidhja do të duhej të përfshinte edhe gjërat që nuk janë negociuar në të kaluarën dhe çështjet e tjera të hapura. Përderisa Serbia nuk do ta njohë Kosovë si shtet, që nuk pres të ndodhë, atëherë do të jetë vështirë të arrihen marrëveshje për çështje të tjera”, ka theksuar ai.

Nga Marrëveshja e 19 prillit 2013, janë përmbushur pikat që flasin për integrimin e policisë dhe gjyqësorit në kuadër të sistemit të Kosovës. Po ashtu, për herë të parë në vitin 2013 ishin mbajtur edhe zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe.

Veç marrëveshjes së 19 prillit, Kosova ka arritur edhe disa të tjera që janë derivat i dialogut teknik.

Nga rreth 33 marrëveshje të arritura, vetëm disa prej tyre janë zbatuar plotësisht. Është Marrëveshja reciproke për njohjen e policave të sigurimit të automjeteve, Marrëveshja për mbledhjen e të hyrave doganore, si dhe Marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave ADR, Marrëveshja për telekomunikime.

Zbatimi i Marrëveshjes për urën e Ibrit ende nuk ka filluar, megjithëse janë finalizuar punimet rreth rivitalizimit të saj, të cilat kishte marrë përsipër t’i kryente Bashkimi Evropian. Problem ka dalë edhe përcaktimi i kufirit administrativ mes Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, që është pjesë e pakos së marrëveshjes për lëvizjen e lirë.

Edhe pse me Ligjin për kufijtë administrativë Suhodolli i përshkruhet Mitrovicës Jugore, udhëheqja komunale e veriut pretendon se kjo lagje duhet t’u takojë atyre. Asnjë përparim nuk është shënuar as në zbatimin e Marrëveshjes për energji. Kompania me origjinë nga Serbia deri tani ka refuzuar të regjistrohet në Kosovë në pajtim me ligjet e vendit, ashtu siç e përcakton Marrëveshja.

Dykuptimësia konstruktive është elementi që ka shoqëruar dialogun e Brukselit, ku palët i interpretonin marrëveshjet sipas versionit të tyre. Ndërkaq BE-ja në rolin e ndërmjetësuesit të këtij procesi, vetëm ka njoftuar për takimet e mbajtura, përmes komunikatave për media, por nuk i ka interpretuar marrëveshjet. Kjo ka prodhuar paqartësi dhe mungesë transparence. Nuk ka pasur raportime të rregullta në Kuvendin e Kosovës për marrëveshjet, përveç në rastet e pyetjeve parlamentare, raportimet në komisione apo interpelanca.