Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilnik. Në takim Kurti ka kërkuar që Sllovakia ta njohë Kosovën.
“Kryeministri Kurti e falënderoi z. Kostilnik për vizitën dhe për mbështetjen në liberalizimin e vizave për Kosovën dhe i bëri thirrje Sllovakisë që ta shtyjë përpara këtë vendim sa më shpejtë për qytetarët e Kosovës. Po ashtu kryeministri Kurti shprehu interesimin për zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve dhe i kërkoi Sllovakisë që t’i bashkohet grupit të BE-së që e njeh Kosovën. Kryeministri Kurti mirëpriti interesimin e Sllovakisë për dialogun dhe theksoi se ai duhet të jetë i mirëpërgatitur, me një qasje transatlantike dhe transformative, të udhëhequr nga vlerat demokratike. Ai theksoi edhe faktin që Sllovakia si vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së mund të mbështesë dhe të shtyjë përpara anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike, si dhe kërkoi mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Kostilnik, falënderoi kryeministrin Kurti për pritjen dhe shprehu vullnetin për vazhdim të bashkëpunimit bilateral. Ai theksoi gatishmërinë e Sllovakisë për mbështetje në fushën e sundimit të ligjit dhe të ekonomisë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo