Gati 500 ish-punëtorët e Fabrikës së Amortizatorëve ende nuk kanë marrë pjesën e dytë të 20-përqindshit nga privatizimi, shumë që u takon. Por, bazuar në një vendim të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, ka mundësi edhe të mos e marrin fare, pasi në listën përfituese të kësaj shume janë futur edhe 296 punëtorë, kryesisht serbë. Kjo është kundërshtuar nga ish-punëtorët, pasi sipas tyre, ata janë të dyshimtë nëse kanë punuar dhe se nuk plotësojnë kushtin ligjor, e që është puna pas luftës në fabrikë
Ish-punëtorët e Fabrikës së Amortizatorëve ka afro dy vjet që nuk e kanë marrë shumën e plotë të 20-përqindëshit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. E hisedarë në këtë 20-përqindsh po pretendojnë të jenë edhe rreth 300 persona të tjerë, kryesisht serbë, të cilëve Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme së fundmi ua ka njohur të drejtat.
Por, ish-punëtorët po kundërshtojnë futjen e këtyre personave në lista, pasi sipas tyre, ata nuk plotësojnë kriteret. Me këtë sipas tyre, dëmtohen punëtorët e vërtetë. Ata shprehin edhe dyshime nëse këta emra që janë në listë kanë punuar në kohën kur punëtorët shqiptarë ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet ‘90.
Kadri Haliti, ish-punëtor në Fabrikën e Amortizatorëve ka thënë se ka afro një dekadë që ka mbetur pa punë dhe se përveç një pjese të 20-përqindshit nuk ka marrë ndonjë mjet tjetër për largim nga puna.
“Neve 20-përqindëshin e kemi marrë para 1 vit e gjysmë, 496 punëtorë i kemi marrë 40 për qind të vlerës që na takon dhe 60 për qind na kanë ndalur (AKP v.j.). Tash kanë bërë ankesë në gjykatë dhe i kanë shti edhe 300 serbë që na nuk i njohim”, ka theksuar ai.
Ai thotë se ka punuar deri në vitin 2011 kur i është thënë të largohet nga aty, pasi ishte privatizuar fabrika.
Sipas Halitit, punëtorët që kanë qenë pjesë e repartet punuese dhe administrative nuk kanë marrë 7 pagat e fundit nga ana e Fabrikës edhe pse i është premtuar se ato do të jepen nga blerësit e rinj, por që deri më tani nuk i kanë marrë ato mjete.
“Kemi qenë në Agjenci, por kanë thënë se pa u likuidu fabrika nuk mundemi me ju dhanë rroga. Unë kam punuar deri në vitin 2011, ka ardhur Devolli, ka thënë se e kemi blerë fabrikën dhe na ka largu, nuk na ka dhënë as rroga as kurrgjë, pa asnjë dokument, me duar në xhepa, bile serbët na kanë dhënë dokumente kur na kanë larguar me dhunë”, është shprehur Haliti.
Ndërmarrja e Re “Fabrika e Amortizatorëve” Sh.P.K. i ishte shitur korporatës “Devolli Group” për 2 milionë e 50 mijë euro, ndërsa Ndërmarrja e Re “Ndërtesa Administrative” i ishte shitur N.P.T Euro-Nex për 5 milionë e 100 mijë euro. Fondi i 20-përqindëshit për punëtorët ishte 1 milionë e 430 mijë euro. Nga kjo shumë vetëm 627 mijë e 476 euro janë ndarë për 496 punëtorët. Pa u shpërndarë kanë mbetur edhe 802 mijë e 523 euro.
Për procesin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje me një shumë kaq të vogël, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar që të bëhet një hetim parlamentar, por iniciativa e saj ka mbetur në gjysmë pas shpërndarjes së Kuvendit. Legjislatura e kaluar e Kuvendit kishte formuar një komision hetimor për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, proces ky që kishte mbetur në gjysmë sërish, pasi vendi shkoi në zgjedhje.
Privatizimi i Fabrikës së Amortizatorëve i ka lënë në gjendje të vështirë financiare ish-punëtorët.
“Gjendja ekonomike e punëtorëve është zero, dikush punon me karrocë, nja 5-6 punojnë me karrocë, disa mbledhin nëpër kontejnerë të bërllokut kënaçe me u dërgu pak bukë fëmijëve. Për vete jam pensionist, nuk marr kurrgjë. I kam 6 djem, por asnjëri nuk punon”, ka thënë Haliti.
Punëtorët i janë drejtuar edhe Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për të kërkuar ndihmë në pjesën e 20-përqindshit të mbetur.
Florent Spahija nga ky Institut ka thënë se kanë drejtuar disa kërkesa në emër të këtyre punëtorëve si tek AKP-ja ashtu edhe tek Dhoma e Posaçme në Gjykatën Supreme.
“Në kërkesën e parë kemi marrë përgjigje nga Gjykata dhe Gjykata ka dalë me një aktgjykim që i ka pranuar një grup të punëtorëve, që grupi tjetër nuk ka qenë i kënaqur, pasi që kanë qenë punëtorë që nuk i kanë njohur dhe kanë punuar në kohën e masave të dhunshme, në kohën kur janë larguar shqiptarët nga puna dhe po të njëjtit punëtorë nuk kanë punuar pasluftës dhe nuk kanë mundur që ta gëzojnë të drejtën, pasi që është dashur që të punojnë edhe pas luftës, që është kriter ligjor”, ka thënë Spahija.
Sipas tij, pas këtij aktgjykimi i janë drejtuar sërish AKP-së dhe kanë kërkuar nga ajo që të paraqesë ankesë në emër të punëtorëve që kanë qenë përfitues të 20-përqindshit që të largohet pjesa tjetër e grupit të punëtoreve, pasi siç thonë ata, realisht ata nuk kanë qenë punëtorë që kanë punuar pasluftës dhe nuk i plotësojnë kriteret për të qenë përfitues të 20-përqindshit nga shuma e privatizimit.
Ai ka treguar se AKP-ja gjatë procesit të zhvillimit të Gjykimit ka paraqitur ankesa për këta punëtorë në shkallën e parë, por siç ka thënë, pret që një gjë të tillë ta bëjë edhe në shkallën e dytë.
“Presim që Gjykata të vlerësojë ankesat e AKP-së dhe të mos i pranojë ato ankesa të punëtorëve që nuk plotësojnë kushtin elementar për të përfituar nga 20-përqindëshi”, ka theksuar Spahija.
Ai ka shtuar se nëse shohin që AKP-ja nuk vepron do të marrin edhe hapa të tjerë siç është edhe dërgimi i lëndës tek Avokati i Popullit dhe në Gjykatë Kushtetuese, përmes Avokatit të Popullit, pasi konsiderohet se ka shkelje të të drejtave të njeriut.
Punëtorët para aktgjykimit i janë drejtuar me një shkresë AKP-së, në të cilën i kanë kërkuar që të ndahen mjetet e mbetura, por nuk kanë marrë përgjigje.
Në shkresë thuhet se “gjatë periudhës së privatizimit, punëtorët që kemi qenë në repartet punuese dhe administrate nuk kemi marrë shtatë pagat e fundit nga ana e Fabrikës, përkundër faktit se kemi punuar dhe jemi angazhuar”.
Pengesë për mospagesën e tyre, sipas shkresës ka qenë edhe “mospagesa e shumës së borxhit prej 400 mijë euro nga Komuna e Prishtinës”.
“Ju lutem ta keni parasysh gjendjen tonë, fillimisht materiale e më pas edhe shëndetësore si dhe pandeminë e Covid-19 e cila ka shkaktuar goxha probleme financiare te shumë prej 496 punëtorëve. Sigurimi i kësaj shume nga AKP-ja për punëtorët e më pas pagesa e pagave të mbetura borxh, do të ishte një ndihmesë e madhe për secilin punëtor”, thuhet në letër.
Me një letër të tillë, ata i janë drejtuar edhe Dhomës së Posaçme në Gjykatën Supreme që mban datën 24 shkurt 2021.
“Ne si përfaqësues të tyre, ju drejtohemi duke ju lutur që çështja e ndërmarrjes sonë të zgjidhet sa më shpejt që t’i mundësohet më pas AKP-së që të vazhdojë me shpërndarjen e shumës së mbetur të parave nga 20-përqindëshi, e që do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për secilin punëtor që është i kualifikuar për atë shumë”, thuhet mes tjerave në shkresë.
Por, pak ditë më parë, erdhi edhe vendimi i Dhomës së Posaçme, që ua njeh të drejtën edhe 296 personave, kryesisht të komunitetit serb.
Pas kësaj, ish-punëtorët i janë drejtuar me një tjetër kërkesë AKP-së. Aty i kërkohet që AKP-së të bëjë ankesë dhe të mos pranojë një numër të madh të punëtorëve si përfitues të 20-përqindëshit.
“Ne si përfaqësues të punëtorëve kërkojmë nga ju që të paraqisni ankesë mbi pranueshmërinë e një numri kaq të madh të kinse punëtorëve të ndërmarrjes së Amortizatorëve, kjo për faktin se shumica e të pranuarve nuk i plotësojnë kushtet ligjore për përfitimin e 20-përqindëshit”, thuhet në shkresë.
Por, as në këtë nuk kanë marrë një përgjigje nga AKP-ja.