Arbëri

Vitia fton Haxhiun në takim, ky thotë se ia ofroi kontaktet për sigurimin e vaksinave COVID-19

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka njoftuar se sot është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Qëllimi i këtij takimi sipas tij, është komunikimi dhe kontaktet që ka pasur ai me kompaninë e cila ofron mundësinë e sigurimit të 500 mijë deri në 3 milionë vaksina të Pfizerit.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ministrit Vitia ia ka dërguar kontaktet.

“Ministri Vitia dhe sekretari Bardiqi u zotuan se Komiteti i MSH-së për sigurim të vaksinave, do të kontaktojë Kompaninë e cila mund të na i sigurojë një numër të jashtëzakonshëm të dozave me vaksinën Pfizer. Tani i takon Ministrisë së Shëndetësisë që të punojë me seriozitet, përgjegjësi dhe përkushtim në procedurat e mëtutjeshme për sigurim të vaksinave anti COVID-19 Pavarësisht a jemi pozitë apo opozitë në këtë situatë të gjithë së bashku duhet të punojmë për të mirën e shëndetit të qytetarëve. Virusi po vret çdo ditë qytetarët e Kosovës pa dallim partie politike dhe partitë pa dallime politike duhet të punojnë për të mposhtur pandeminë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se përgjegjësinë kryesore për situatën e ka subjekti politik që është në Qeveri.

“Për më shumë se një vit pandemi të gjithë kemi humbur njerëz të dashur si pasojë e virusit COVID-19, prandaj vaksina është shpëtim jete”, ka shkruar tutje ai.