Arbëri

Infermierja Imeri për koronavirusin: Kisha simptoma të pazakonshme

Descriptive Text

Antigona Imeri, infermiere e shërbimit mjekësor në kuadër të Policisë së Kosovës, ka deklaruar se pandemia është sfidë e rëndë për qytetarët dhe se për ta tejkaluar, duke respektuar masat e caktuara nga institucionet.

Imeri ka deklaruar në KTV se në kohën kur ishte infektuar me koronavirus, kishte pasur lodhje të madhe dhe simptome të rralla. Mirëpo, me t’u shëruar, është kthyer në krye të detyrës, duke punuar pa orar fiks.

“Kur kam hyrë në objektin ku punoj, e kam harruar veten duke menduar se si t’i ofroj ndihmë pacientëve që kanë kërkuar ndihmë. Ka pasur ditë që s’kam telefonuar fëmijët as familjen për shkak të angazhimeve. Kanë kaluar muaj, jam testuar 2-3 herë për shkak të kontakteve dhe kam rezultuar negativ. Kam thënë se si duket koronavirusi do të më refuzoj, por s’ka shkuar kohë e gjatë, kam pasur disa simptoma jo të zakonshme, një lodhje e jashtëzakonshme. Ajo që më ka rënë në mendje në fillim ka qenë se si ta menaxhoj përhapjen, kam njoftuar kolegët dhe familjarët e mi menjëherë”, ka deklaruar Imeri.

Ajo ka potencuar se gjatë kohës sa ishte e infektuar, kishte ankth dhe pagjumësi, nga frika se mund t’ia bartte dikujt koronavirusin.

“Isha edhe nënë përpos si personel mjekësor, u nevojit të organizohet edhe procesi mësimor, ka qenë sfidë si për të gjithë edhe për mua edhe për drejtorinë ku punoj. Ka qenë sfidë edhe sigurimi i mjeteve mbrojtëse për të gjithë personelin policor, për aq sa kemi pasur mundësi i kemi siguruar”.

Infermierja ka folur edhe për vdekjen e disa zyrtarëve policorë nga koronavirusi, duke thënë se ndjen keqardhje për ta pasi disa prej tyre i kishte njohur, meqë kishte punuar së bashku me ta.

“Ka qenë e dhimbshme humbja e jetëve të zyrtarëve policorë nga koronavirusi, kemi qenë në dijeni që po përballemi me diçka të panjohur. Kemi mësuar që si shoqëri më shumë jemi të njëjtë sesa të ndryshëm, kemi pasur frikën e njëjtë, dëshirat e njëjta”, ka shtuar ajo.

Imeri ka përmendur se edhe disa familjarë të saj nuk e kanë besuar ekzistencën e koronavirusit, mirëpo ajo ka bërë thirrje që duhet pasur kujdes ndaj COVID-19, pasi që simptomat nuk janë çdoherë të njëjta.