Arbëri

Prokuroria nis hetimet pas kërkesës së Vitisë rreth çështjes së vaksinave për COVID-19

Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore duke iniciuar rast për veprën “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, pasi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje në konferencë mohoi raportimet se ai ka neglizhuar një kontratë për sjelljen e vaksinave të “Pfizerit”.

“Pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Të premten në konferencën e mbajtur, Vitia i kishte bërë thirrje Prokurorisë që të veprojë ndaj atyre që dëmtojnë këtë proces delikat.