Arbëri

Dokumentohet ndërhyrja politike gjatë vlerësimit për grantin 5-milionësh

Një koncept-dokument i finalizuar këtë javë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dokumenton dyshimet për ndërhyrje dhe vlerësim jo të drejtë të performancës së komunave, që ishte bërë për qëllim të përfitimit nga një grant 5-milionësh. Në Ministri kanë dhënë zotimin për transparencë të plotë në proces. Në prioritetet e 100-ditëshit kanë edhe nisjen e hartimit të ligjit me të cilin do të penalizohen zyrtarët që manipulojnë me këtë vlerësim

Ministria e Pushtetit Lokal ka ndërmarrë një politikë në funksion të parandalimit të manipulimit me procesin e vlerësimit të performancës së komunave, mbi bazën e të cilit ato përfitojnë nga një grant 5-milionësh. Dyshime për ndërhyrje në vlerësim janë listuar edhe në një dokument qeveritar.

Procesi për vitin e shkuar shkoi në rivlerësim, pasi KOHA raportoi për dyshime manipulimi gjatë vlerësimit të performancës së komunave në procesin e ndarjes së grantit.

Lidershipi i ri i Ministrisë ka dhënë zotimin se nga tani do t’u jepet fund manipulimeve.

Fidan Kalaj, këshilltar i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se mundësitë për dallavere me vlerësimin do të eliminohen nga ky vit.

“Problemet që kanë ndodhur vitin e kaluar është mirë që janë evidentuar dhe është mirë që ka shkuar procesi në rivlerësim, për shkak të problemeve që janë hasur gjatë procesit të parë të vlerësimit”, ka thënë Kalaj. “Në të kaluarën ka ndodhur që shpesh ministrat të jenë ata të cilët kanë vendosur jashtë kritereve dhe jashtë standardeve të vlerësojnë performancën e komunave. Jashtë kritereve që janë të përcaktuara. Këtë do ta eliminojmë nga ky vit, duke rritur transparencën sa i përket ndarjes së grantit të performancës për komuna”.

Ministria e ka finalizuar këtë javë një koncept-dokument i cili liston një varg problemesh që lidhen me procesin. Mes të tjerash, dokumenti flet për pasqyrim joreal të performancës së komunave, e edhe për përfitim jo të drejtë nga granti. Prandaj, sugjeron që çështja të adresohet nëpërmjet një ligji të ri.

“Argumentet për krijimin e kornizës ligjore më të avancuar për performancë dhe grant përvijojnë rrugën që sistemi të bëhet më rezistent ndaj ndikimeve të mundshme politike në mënyrë që të parandalohet çfarëdo pengese, qoftë në procesin e matjes së performancës, apo ndarjes së grantit për performancë”, thuhet në koncept-dokument. “Rrjedhimisht, korniza ligjore në fuqi nuk krijon asnjë obligim të qartë të nivelit të qeverisë për të garantuar qëndrueshmëri të grantit të performancës dhe i njëjti varet nga vullneti politik i qeverisë për të ndarë mjete për grantin e performancës, vit për vit në Ligjin për Buxhetin”.

Këshilltari Fidan Kalaj ka thënë se problemi do të adresohet së shpejti me ligj.

“Është prioritet i 100-ditëshit të parë të ministrit që të fillojmë hartimin e ligjit për grantin e performancës. Pra, që nga viti i ardhshëm të kemi ligj për grantin e performancës”, ka deklaruar ai. “Ideja e grantit të performancës është që të rritet mirëqeverisja në nivelin komunal e të përmirësohen shërbimet për qytetarët e Kosovës. Pra, këto janë edhe synimet e Ministrisë, që të rrisim performancën e komunave, të rrisim dhe përmirësojmë shërbimet publike të komunave, sepse komunat janë dera e parë ku qytetarët shërbehen për problemet që ata i kanë”.

Koncept-dokumenti tregon disa nga aspektet që do t’i trajtojë ligji i ri. Ai pritet të përmbajë dispozita detyruese për zyrtarët e përfshirë në vlerësimin e performancës së komunave, që këtë përgjegjësi ta kryejnë me ndërgjegje e në mënyrë profesionale dhe pa trysni apo ndikime politike.

“Për më tepër, korniza ligjore duhet të vendosë masa juridike të veçanta me përgjegjësi disiplinore për të garantuar objektivitetin e të dhënave dhe parandalimin e keqpërdorimeve të mundshme të autorizimeve, raportimeve joreale, si dhe të sigurojë që burimet financiare të performancës të kenë garancë të plotë ligjore, gjithnjë të ndara sipas kritereve të meritës”, thuhet në koncept-dokument.

Procesi i fundit i vlerësimit të performancës u anulua pas një raportimi të KOHËS dhe kritikave që për vlerësimin kishte dhënë Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe kryetarë komunash veç e veç.

Vendimin e pati firmosur në fund të dhjetorit të vjetëm ish-ministri Goran Rakiq.

Për këtë rivlerësim është vendosur në bashkëpunim me donatorët e grantit: Ambasadën e Zvicrës, atë të Suedisë dhe me Ambasadën e Norvegjisë.