Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me kthimin e një pjese të nxënësve në bankat shkollore, ka thënë se nga sot do të vazhdojë mësimi i rregullt në objektet shkollore të cilat janë dezinfektuar dhe do të mirëmbahen vazhdimisht.
Ajo ka thënë se përballja me Covid -19 nuk ka qenë e lehtë, por ka bërë thirrje që bashkë të fokusohen për të ndihmuar fëmijët e nxënësit.
“Pas pushimit pranveror, sot në bankat shkollore janë kthyer filloristët. Ata do të vazhdojnë mësimin e rregullt dhe jemi njoftuar se të gjitha objektet shkollore janë dezinfektuar e do të mirëmbahen vazhdimisht duke ofruar kushte të sigurta për mësimdhënie e mësimnxënie. Ndërkaq pjesa tjetër e nxënësve, pra ata të klasave VI-XII, këtë javë mësimin do ta zhvillojnë në distancë. E di se përkundër përpjekjeve, mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme, por ajo mund e duhet të ketë edhe avantazhet e veta. Andaj bashkë me kujdesin për shëndetin fizik e mendor duhet të punojmë edhe për të arritur rezultate në mësim. Covid-19 na e ndryshoi jetën, andaj natyrshëm se po ndryshon dhe mësimdhënien e mësimnxënien. Nuk kemi analiza e studime të detajuara, por s’do mend se shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu si duhet e si dëshirojmë, kjo duhet të na motivojë të punojmë më shumë e më mirë”, ka shkruar ajo.
Nagavci ka shtuar se për të gjithë puna do të jetë me intensitet të shtuar, menaxhmenti dhe gjithë stafi i shkollave, zyrtarët komunal e ata të ministrisë, duhet të jenë në nivelin më të lartë të detyrës.
“Megjithatë, mësimdhënësit e prindërit e kanë barrën më të rëndë në këtë proces të mësimit në mënyrë virtuale, duhet shumë punë, duhet bashkëpunim e angazhim nga të dyja palët e që shpresoj se nuk do të mungojë. Virusi ka goditur më së shumti grupet e cënueshme të margjinalizuara që hasin në sfida të shumta që duhet adresuar. Shkollimi është së pari edukim prandaj duhet ta shfrytëzojmë masat e rekomanduara për të ndërgjegjësim për shëndetin, për kujdesin për njëri-tjetrin, për respektin e detyrimet që kemi si individ e komunitet. Jam e vetëdijshme se s’do të jetë gjithnjë e lehtë, por duhet të jetë e mundshme. Mbështetja jonë do të jetë e plotë, ashtu sikurse dhe kërkesa për të qenë në nivelin më të lartë të detyrës”, ka shkruar ajo.