Arbëri

Tentimi i radhës për rithemelimin e Institutit për Krime Lufte

Foto: Koha

Qeveria e re është zotuar se brenda këtij viti do të miratohet ligji i cili mundëson rithemelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të luftës, i cili u mbyll para tre vjetësh. Ministria e Drejtësisë vlerëson se është humbur shumë kohë në këtë drejtim, derisa synon që grupi i ri punues për draftimin e projektligjit të themelohet javën e ardhshme. Instituti i ri nuk mund të ketë sukses nëse edhe ai zhvillon punën me staf e buxhet të vogël, thonë drejtuesit e institutit të mëparshëm

Ndërrimi i dy qeverive brenda vitit të kaluar ka bërë që të ngecë procesi i rithemelimit të Institutit për Krime Lufte. Ekzekutivi i ri synon që pas miratimit të programit qeverisës, më së largu në fillim të javës së ardhshme, ta themelojë grupin e ri punues për këtë institut. Grupi pritet të përbëhet nga zyrtarë të Ministrisë dhe anëtarë të shoqërisë civile, përfshirë këtu organizata të profilizuara në çështjen e dokumentimit të krimeve të luftës.

Pas draftimit, prej anëtarëve të këtij grupi, të projektligjit për Institutin, Ministria e Drejtësisë synon që brenda vitit 2021 ai të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur urgjente këtë çështje.

“Ne po mendojmë që ligjin ta aprovojmë gjatë këtij viti dhe të fillojmë, pa humbur kohë, edhe me procedura të tjera. Sepse, kemi humbur mjaft kohë dhe ne e dimë që nga lufta e fundit të Kosovë tashmë kanë kaluar 21 vjet, apo më shumë, dhe është shumë urgjente dhe është një ndër top prioritetet e kësaj qeverie”, ka deklaruar ai.
Nimoni njëkohësisht ka paralajmëruar se do të rritet numri i prokurorëve që merren me krime të luftës, pasi, sipas tij, brenda Prokurorisë Speciale janë vetëm katër të tillë.

“Do të ketë ekspertizë në dokumentim institucional të të dhënave të asaj se çfarë ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, e gjithashtu këto do të shërbejnë si bazë mjaft e mirë për arkivim të këtyre të dhënave, e po ashtu argumentim të asaj çfarë ka ndodhur që do t’i hyjë në punë edhe Prokurorisë Speciale për ndjekje dhe ndëshkim të aktorëve që kanë kryer këto krime”, ka shtuar Nimoni.

Përveç rritjes së kapaciteteve në Prokurori, ministria është zotuar se do të rrisë edhe buxhetin e Institutit. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ishte themeluar në vitin 2011 nga Qeveria për të mbledhur, përpunuar, klasifikuar dhe arkivuar informacionet për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Pas vlerësimeve se instituti nuk arriti të përmbushte mandatin e tij, ai u mbyll në vitin 2018 me vendim të kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj.

Për afro shtatë vjet Institutin e mëparshëm e ka udhëhequr profesori në pension i së Drejtës Penale, Ismet Salihu. Ai thotë që instituti i ri të mos ketë fatin e të mëparshmit, Qeveria duhet të sigurojë mbështetje më të madhe për të, dhe të krijojë kushte më të mira sesa që kanë qenë gjatë kohës kur ai drejtoi institutin.

“Duhet të ketë personel, së paku 15 veta dhe atë juristë, ekonomistë, sociologë, psikologë, në mënyrë që të punojnë të gjithë në lëmenjtë e tyre dhe të kenë kushte optimale për punë. Gjithashtu ky institut duhet të bashkëpunojë edhe me hetuesit, policinë, prokurorinë dhe gjykatat e Kosovës, në mënyrë që ky institut të jetë burim i të dhënave për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, është shprehur Salihu.

Një tjetër aspekt që, sipas Salihut, përcakton suksesin e institutit të ardhshëm është buxheti që thotë se duhet të jetë shumë më i lartë sesa në të kaluarën.

“Buxheti ka qenë modest, 300 deri në 400 mijë euro. Mezi i mbulonim pagat dhe një vit apo dy duhej të bënim lutje”, ka shtuar Salihu.

Instituti i mëparshëm për Hulumtimin e Krimeve të Luftës publikoi nëntë monografi mbi e vrasjet gjatë luftës, personat e zhdukur, dëmet ekonomike dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.

Në vendimin për shuarjen e Institutit thuhej se në vend të tij do të krijohej një Departament i Drejtësisë Transicionale, si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Por, kjo nuk ka ndodhur.