Arbëri

“Rreth 70 milionë humbje për shkak të mbylljes”

(Ekonomia Online) - Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se masat e reja të ndërmarra nga Qeveria do të ndikojnë që të ketë humbje deri në 70 milionë euro.

Sipas tij, para se të vendosej për mbyllje, Qeveria është dashtë që të stimulojë punëtorët dhe kompanitë.

“Nëse marrim statistikat e vitit të kaluar ne kemi humbje mbi 1 miliard euro. Nëse flasim për mbylljen që është bërë, diku 70 milionë do të kemi humbje për mbyllje dy javore për të cilat Qeveria e Kosovës ka marrë vendim. Edhe për punëtorët ka qenë e paraparë që të përfitojnë, por ky përfitim nuk ka shkuar në llogarinë e punëtorëve. Krejt kjo po bëhet dëme në të gjitha fushat e punëtorëve të sektorit privat faturën përfundimtare po e paguajmë ne”, tha ai.

Sipas vendimit të Qeverisë nga data 7 deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre. Këto biznese do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi”, apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat. Po ashtu, do iu ndalua veprimtaria qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë.

Ndërkaq, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se në Kosovë si shkak i pandemisë rreth 60 mijë persona kanë humbur vendin e punës. Sipas tij, rënia e qarkullimit në gastronomi dhe sektorë të tjerë lënë vend për shqetësim.

“Duhet një analizë dhe kur të kemi mbyllje duhet të dimë se si të mbështetet sektori privat se vetëm mbyllja nuk është zgjidhje. Në Kosovë nuk kemi problem vetëm me të infektuar, problem është kush i monitoron të infektuarit, si përcillen ata të cilët e bartin infektimin te të tjerët. Prandaj duhet një data bazë e mirëfilltë duhet një monitorim”, tha ai.