Arbëri

Totaj: Haskuka na kujton kohën kur shqiptarët nxirreshin me dhunë nga shtëpitë e tyre

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, ka thënë se kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, po ua kujton kohën kur shqiptarët në kohë okupimi me dhunë nxirreshin nga shtëpitë e tyre duke iu referuar një konkluzioni të Haskukës që kërkon largimin e partive nga zyrat që janë pronë komunale.

Në Interaktiv të KTV-së, Totaj ka thënë se në një letër që u ka dërguar Haskuka, u është përmendur shpesh se do të nxirren me dhunë po që se nuk e respektojnë afatin e dhenë.

“Më 2005, ishte vendosur që të gjitha partitë politike të marrin zyrë, me pagesë simbolike. Pas skadimit të kontratës, ajo që ka ndodhur është që Haskuka s’ka dashur të komunikojë fare. Kontratat kanë skaduar më 2019. Më 2020 na është thënë se duhet t’i lirojmë zyrat. Kemi kërkuar takim me të, por s’kemi marrë përgjigje prej tij. Në një dokument që ka ardhur, na paralajmëron duke e cekur fjalën dhunë 12 herë. Na kërcënohet se do të na largojë me dhunë. Kjo është për të ardhur keq sepse ta kujton kohën kur shqiptarët nxirreshin nga zyrat e tyre me dhunë, nga shkollat e shtëpitë”, ka thënë ai duke treguar se afati i dhënë është që të lirojnë zyrat deri më 15 prill.

Sipas Totajt, Haskuka “po bën show mediatik”. Ai ka akuzuar qeverisjen e Vetëvendosjes në Prizren për keqqeverisje duke thënë se ka prona të tjera të mëdha që s’paguhen fare e që ndaj tyre komuna s’merr masa.

Pagesa për këto zyra, ka qenë në vlerë prej një euro për muaj.

Ai ka thënë se vendimi për heqjen e partive nga zyrat lidhet edhe me “përçarjen brenda VV-së”.

https://www.koha.net/kosove/265931/opozita-braktis-seancen-e-kk-se-shkaku-i-konkluzionit-te-haskukes-per-zyrat-e-partive/