Plot 845 euro e 40 centë i ka kushtuar buxhetit të shtetit një takim i kabinetit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, gjatë kohës që është udhëhequr nga Blerim Kuçi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Të paktën kështu rezulton nga një faturë për takimin e 16 nëntorit të vitit 2020, që i është dhënë KOHËS pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare.
256 euro e 20 centë ishin paguar vetëm për lëngje frutash, e derisa në periudhën që ka qenë ministër Kuçi, në pije kanë shkuar mbi 15 mijë euro.
Edhe një faturë tjetër e ngjashme i është ofruar KOHËS, ku janë paguar 651 euro e 70 centë, e që shkruan se janë shpenzuar në takimet e kabinetit.
Vetëm zv.ministri Rexhep Kadriu për pije kishte shpenzuar plot 239 euro e 90 centë, e edhe aty dominojnë lëngjet e frutave.
edhe gjatë periudhës së pandemisë nuk ishin ndalur, e një i tillë drejt Turqisë ka kushtuar 2 mijë e 487 euro e 45 centë për zëvendësministren Burbuqe Bakija-Deva, që qëndroi atje ndërmjet datave 18 nëntor deri më 21 nëntor.
Derisa në ministrinë tjetër, atë të Industrisë dhe Tregtisë, për ministren Rozeta Hajdari dhe 15 anëtarët e stafit të saj, që nga 6 shkurti e deri më 4 qershor 2020, vetëm për paga janë shpenzuar mbi 29 mijë euro.
Për reprezentacion janë shpenzuar rreth 5 mijë e 600 euro, ndërsa për dreka zyrtare 2 mijë e 137 euro.
Në raportet e dërguara nga MTI-ja, pas kërkesës së KOHËS për qasje në dokumente zyrtare, evidentohet se vetëm për telefona mobilë, për rreth 4 muaj, janë shpenzuar 2 mijë e 350 euro.
Ndërkohë që tabelat për shpenzimet për mëditje mbesin të zbrazëta, për shkak se sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nuk ka pasur shpenzime për udhëtime zyrtare.
Më shumë se pasardhësit e tij del të ketë shpenzuar, Valdrin Lluka, i cili ishte ministër i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Lluka ishte në krye të kësaj ministrie gati 3 vjet, nga 2017 deri më 2020.
Në këtë periudhë, nga kartela e Ministrisë, Lluka kishte shpenzuar mbi 35 mijë euro, derisa 18 mijë euro për udhëtime zyrtare, e mbi 1 mijë e 500 euro për mëditje.
Mbi 2 mijë e 600 euro janë shpenzuar për telefona mobilë, ndërsa për dreka zyrtare mbi afro 6 mijë e 500 euro.