4 perditesime
17:48

Asociacioni i Komunave të Kosovës kundër vendimit për masat e reja anti-COVID

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka njoftuar se është kundër vendimit për masat e reja anti-Covid.

Në një takim të mbajtur sot, ky bord ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që masat kundër përhapjes së pandemisë Covid-19 të vazhdojnë të zbatohen në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

“Por, Bordi në anën tjetër vlerëson se nuk i përkrah masat e reja që sjellin kufizime më të ashpra. Ky vlerësim vjen për arsye se, përkundër qëllimeve të mira shëndetësore, kjo mbyllje do të ndikoj tepër rëndë në sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit tonë. Kryetarët e Komunave vlerësojnë se duhet të respektohen masat aktuale me rigorozitet, të rritet numri i aktiviteteve inspektuese, të rritet angazhimi dhe përkushtimi i policisë, të rritet edhe përkrahja me barna esenciale sepse ka ngecje serioze me furnizim. Nuk është mirë të ketë kufizime sepse është koha e të mbjellave, e edhe gastronomia është e lidhur me bujqësinë”, thuhet në njoftim.

Poashtu Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka vlerësuar se institucionet qendrore dhe shëndetësore duhet të vazhdojnë konsultimet me Kryetarët e Komunave në nivel më të gjerë të përfshirjes, në mënyrë që të kemi vlerësim më real të gjendjes dhe bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe lokal për formën dhe masat kufizuese.

14:19

Ibrahimi: Takimi për masat e reja më tepër informues sesa konsultativ

Ministria e Shëndetësisë dhe e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë paralajmëruar masa të reja anti-COVID, të cilat priten të hyjnë në fuqi nga 6 prilli.

Këtë e kanë kundërshtuar disa kryetarë dhe përfaqësues komunash, të cilët thonë se masat janë tejet të rrepta dhe të dëmshme për ekonominë dhe bizneset. Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka thënë se nuk ka marrë ftesë për një takim të tillë, ku sipas tij, ka qenë traditë që konsultimet për masa të reja të bëhen bashkërisht me Asociacionin, si përfaqësues legjitim.

Ibrahimi i ka thënë KOHËS se në takim kanë marrë pjesë gjashtë kryetarë dhe 11 përfaqësues komunash. Ndonëse s’ka qenë pjesë e takimit, Ibrahimi thotë, se në bazë të informatave nga pjesëmarrësit, ky takim më tepër ishte informues sesa konsultativ.

“Komunat gjithmonë kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me nivelin që të shpëtohet jeta e qytetarit. S’mund të thuhet që ka ndodhë proces konsultativ gjithëpërfshirës me komunat, nëse në takim kanë marrë pjesë vetëm gjashtë kryetarë komunash”, ka thënë ai.

E për masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi nga 6 prilli, Ibrahimi thotë se do i shkaktojnë dëme shtesë ekonomisë.

“Komunat që prodhojnë produkte bujqësore dhe tani është koha e plasimit të tyre dëmtohen nga këto masa sepse produktet kryesisht shiten nëpër restorante. Mjafton që të respektohen masat aktuale anti-COVID sa i përket distancës dhe kufizimit të numrit të personave nëpër restorante e vende të tjera të gastronomisë”, ka thënë ai.

12:52

Nga e marta priten masa të reja anti-COVID, komunat kundërshtojnë

Nga 6 prilli, pritet të vendosen masa të reja anti-COVID në vend, pavarësisht se disa komuna nuk po pajtohen me këtë. Në takimin e sotëm virtual të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa komunave, është diskutuar që vendosja e masave të fillojë nga e marta, duke përfshirë disa sektorë.

KOHA ka mësuar se përfaqësues nga komunat si ajo e Prizrenit, Malishevës, Kamenicës, Rahovecit dhe Drenasit, në këtë takim kanë kundërshtuar masat, nën arsyetimin se janë tejet të rrepta, mirëpo pas takimit, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ka shkruar se “të pranishmit u pajtuan që bashkërisht duke i koordinuar të gjitha veprimet rreth masave të reja, mund t’ia dalin për të minimizuar dhe tejkaluar sfidat me të cilat janë duke u përballur me pandeminë COVID-19”.

Burime brenda takimit i kanë thënë KOHËS se ministri Vitia nuk i ka marrë për bazë mendimet e përfaqësuesve të komunave që janë kundër izolimit, derisa ka treguar se mbyllja e sektorëve po bëhet për pesë arsye.

“Shkollat, administratat, gastronomia, hyrje-daljet e qytetarëve dhe vizitat e familjarëve në spitale”, thuhet janë ndër arsyet kryesore që i ka theksuar Vitia për t’i ashpërsuar masat.

Sektorët që priten të preken nga masat e reja janë gastronomia, qendrat tregtare dhe palestrat.

11:51

Komunat njoftojnë MSH-në për gjendjen me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë është duke mbajtur takimin virtual me krytarët e komunave të Kosovës, ku po diskuton masat e reja anti-COVID.

KOHA ka mësuar se gjatë takimit, i cili është duke vazhduar, krerët e komunave e kanë njoftuar Ministrinë Shëndetësisë me gjendjen aktuale nga COVID-19 nëpër komuna. Takimi virtual me kryetarët e komunave të Kosovës për shqyrtimin e masave të reja, ka filluar nga ora 10:00.

09:30

MSH-ja sot diskuton me kryetarët e komunave për masat e reja anti-COVID

Kryetarët e komunave të Kosovës sot do mblidhen me Ministrinë e Shëndetësisë, për t’i diskutuar masat e reja anti-COVID, të paralajmëruara nga kjo e fundit.

KOHA ka mësuar se takimi do fillojë në orën 10:00 dhe do zhvillohet virtualisht. Të shtunën, Shoqata e Gastronomisë ka reaguar pas paralajmërimit për masat e reja, duke thënë se një vendim i tillë do të jetë arbitrar dhe i njëanshëm. Është paralajmëruar që masat do jenë për mbylljen e gastronomisë, qendrave tregtare, palestrave dhe shkollave nga 6 deri më 18 prill.

"Ne kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë edhe më tutje çdo vendim që merret njëanshëm pa konsultim”, ka shkruar përfaqësuesi i gastronomëve, Petrit Kllokoqi të shtunën në Facebook.

Në anën tjetër, Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se në takim me ministrat është bërë e ditur se bizneset që do preken nga masat e reja, do përkrahen financiarisht nga Qeveria.

Kjo përkrahje do bëhet për mbulim të shpenzimeve të qirave dhe pagave të punëtorëve.