Arbëri

Kusari-Lila për deputetët e LDK-së që nuk votuan: Qasja e tyre në kundërshtim me deklarimet

U.d. e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se seanca është shtyrë për të dielën, për t’u siguruar kushtet për zgjedhjen e presidentit. Për deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk morën pjesë në votim, Kusari-Lila thotë se qasja e tyre ishte në kundërshtim me deklarimet.

“Qasja e tre deputetëve në LDK-së është në kundërshtim me deklaratat e tyre”, ka deklaruar ajo.

Për mungesën e deputetëve Fadil Gashi dhe Adem Hoxhës në Kuvendin e Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se kanë pasur kontakt me ta mirëpo nuk kanë marrë përgjigje definitive.

“Në këtë rrethana s’mund të jap specifika për mospjesëmarrjen e tyre sepse nuk i kam”.

“Sonte vërejmë që ka ndikim nga grupe jashtë që e duan Kosovën jostabile, nuk ka adresë tjetër pos të atyre që janë destruktiv”, ka thënë ajo para mediave.

Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj janë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk morën pjesë në votimin e sotëm për zgjedhjen e presidentit të vendit. Veliu është shprehur publikisht para mediave se nuk do e votojë Vjosa Osmanin për presidente.