Arbëri

Projekti i Emergjencës: “Humbin” 400 mijë euro për mbikëqyrje të projektit të anuluar

400 mijë euro mund t’i humbë Ministria e Shëndetësisë si pasojë e keqplanifikimit të tenderëve. Në vend se fillimisht të hapte tender për adaptimin e objektit të ri të Emergjencës për spital për COVID-19, ky institucion së pari kishte hapur tender për mbikëqyrës të punëve. Tenderi për punëkryesin që kapte vlerën mbi 18 milionë euro është anuluar të premten, por tenderi për mbikëqyrësin e punëve është i nënshkruar dhe ligjërisht nuk mund të anulohet

Një proces i nisur mbrapsht nga Ministria e Shëndetësisë rrezikon t’ia humbë këtij institucioni rreth 400 mijë euro.

Siç nuk ndodh zakonisht, Ministria e Shëndetësisë në tetorin e vitit të kaluar kishte përzgjedhur një kompani që të bënte mbikëqyrjen dhe projektimin e adaptimin e objektit të Emergjencës se re në spital për trajtimin e COVID-19, pa e ditur se kur dhe kush do t’i kryente punimet.

Në vend se në fillim të zgjidhej punëkryesi, Ministria e Shëndetësisë pati zgjedhur mbikëqyrësin e punëve.

Kontrata për mbikëqyrësin e punëve është dhënë në tetorin e vitit 2020.

Me shumë së dy muaj pas, Ministria e Shëndetësisë ka hapur tenderin për të zgjedhur punëkryesin. Një gjë e tillë ishte bërë një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilës e kishte rrëzuar Qeverinë Hoti

Tenderi që kapte vlerën rreth 19 milionë euro ishe hapur, ani pse nuk ishte planifikuar asnjë cent në buxhetin e vitit 2021 për ndërtimin e këtij objekti.

Një gjë e tillë është përdorur si argument në vendimin për anulim të këtij tenderi nga MSH-ja.

“Duke marrë parasysh se në buxhetin e miratuar për vitin 2021 nuk është paraparë buxhet për këtë projekt, kërkojmë anulimin e aktivitetit të prokurimit për arsye të mungesës së buxhetit”, thuhet në arsyetimin e vendimit të anulimit të këtij tenderi.

Pas anulimit të tenderit që ishte në proces për adaptimin e këtij objekti, kompania “Alb Architect” nuk ka asnjë rol në këtë objekt, por se kjo kompani tashmë e ka nënshkruar tenderin.

KOHA ka provuar gjatë tërë ditës të marrë përgjigje nga MSH-ja nëse i janë transferuar paratë kësaj kompanie, por nuk ka marrë informatë zyrtare.

Përgjigje për ketë çështje ka dhënë kompania “Alb Architect”. Ata kanë thënë së do të vazhdojnë me projektin.

“’Alb-Architect’ ka kryer projektin sipas kontratës, i njëjti është dorëzuar tek investitori, përkatësisht MSH-ja, ndërsa sa i përket mbikëqyrjes ne kemi kontratë të nënshkruar për mbikëqyrje dhe e njëjta do të realizohet sapo të fillojnë punimet në këtë projekt”, ka thënë Zymer Zyba nga kjo kompani.

Një pjesë e projektit ai ka thënë se është përfunduar.

“Sa i përket kohës, projektimi ka qenë i paraparë të kryhet për 30 ditë dhe i njëjti ka përfunduar sipas kontratës, ndërsa mbikëqyrja deri në përfundim të ndërtimit”, ka deklaruar ai.

Zyba ka thënë që një pjesë të parave tashmë i kanë marrë.

“’Alb-Architect’ ka kryer punët sipas kontratës së paraparë, gjithashtu edhe pagesa është bërë sipas kontratës”, ka thënë ai.

Sipas Ligjit të prokurimit publik, një kontratë nuk mund të shkëputet pas nënshkrimit.

Edhe nëse institucioni nuk ka interes për atë shërbim, është i obliguar t’ia paguajë së paku 70 për qind të shumës së kontratës së lidhur.

KOHA në vazhdimësi ka raportuar për parregullsi në këtë projekt.

Projekti fillestar që kapte vlerën 8 milionë euro është dashur të përfundonte në vitin 2019, sipas dinamikës së punës, por pak para përfundimit kompania fituese kishte thënë se nuk mund të kryhet ashtu siç ishte projektuar.

Pak para se zyrtarisht të kalonte ky afat, kompania që merrej me ndërtimin e këtij objekti kishte thënë se pasi ka fituar tenderin e kishin studiuar projektin dhe e kishin kuptuar se “nuk mund të përfundohej në bazë të standardeve të kërkuara pa u bërë revidimi”.

Ministria e Shëndetësisë asokohe kishte bërë kërkesë që kësaj kompanie t’i ndaleshin 800 mijë euro në emër të sigurimit të tenderit.

Për këtë vendim, MSH-në e kishte paditur kompania “Al Trade”, por, siç ka mësuar KOHA, rastin e ka humbur në të dyja shkallët e gjykatës.

Ndërkohë, një padi tjetër kishte bërë kjo kompani për dëmin e pretenduar që Ministria e Shëndetësisë ia ka bërë kësaj kompanie.

Padi për këtë projekt kishin bërë edhe disa kompani të tjera me pretendimet se Ministria e Shëndetësisë kishte shkelur Ligjin e prokurimit publik kur e kishte shpallur fituese “Al Traden” për këtë projekt.

Siç ka mësuar KOHA, në korrikun e vitit 2020, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar se kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për konfiskimin e 800 mijë eurove të kësaj kompanie në emër të sigurimit të tenderit ishte e ligjshme. MSH-ja në këtë periudhë kishte bërë kërkesë në Avokaturën Shtetërore që përmes përmbarimit të tërhiqeshin këto para, por një gjë e tillë nuk është bërë ende.