Arbëri

Hoxhaj: Kurti ka frikë nga pushteti

Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, e ka quajtur fund të demokracisë tentimin e Lëvizjes Vetëvendosjes për të ndryshuar Ligjin për Zgjedhjet duke shtuar se kryeministri Albin Kurti po i dëshiron zgjedhjet e reja sepse “ka frikë nga pushteti”.

Hoxha përmes një konference për media ka thënë se fajtori i vetëm në rast se vendi shkon në zgjedhje është Albin Kurti.

“Kjo se çfarë po ndodh sonte në Kuvend dhe Qeveri, ku është e gjithë vëmendja qytetarëve, që po përballen me pandeminë, me vafërinë, e ka vetëm një emër që është iniciuar nga qeveria e turpit. Në vend se të mblidheshim dhe të diskutonim sesi ta kemi një plan për ta vaksinuar popullatën, ne merremi me një krizë të re që e ka burimin te kryeministri Kurti dhe te Lëvizja Vetëvendosje, që shpërfaqet për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje. Sa është prioritet për qytetarët ky ligj në kohë pandemie. Në vend se të kemi një program, në vend se të kemi plan se si të merremi me pandeminë, është prodhuar një krizë e re. Natyrisht që Ligji për Zgjedhje në çdo vend demokratik nuk është inicim i vetëm një partie, por ndodh përmes një dialogu ku pjesë është edhe pozita, opozita, shoqëritë civile, mediat e qytetarët. Nuk mund të bëhet reformë në një ligj pa mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në vitin 2011, kur e kemi bërë një ligj të tillë, debati ka marrë kohë 12 muaj, ndërsa sot ka përpjekje për ta mbyllur për 12 orë. Kjo e ka emrin ngufatje të demokracisë, fund të demokracisë. Nuk pranojmë t’i nënshtrohemi vullnetit të askujt dhe do të mbetemi front për ta mbrojtur demokracinë në Kosovë, që është ndërtuar me mund dhe sakrificë. Qytetarët duhet ta kuptojnë se Albin Kurti është ai që po dëshiron ta çojë në zgjedhje të parakohshme, në një situatë të njëjtë sikur vitin e kaluar. Albin Kurti po i frikësohet pushteti. Fajtori i vetëm nëse shkon vendi në zgjedhje është Albin Kurti. Unë sot përsëri i ftoj qytetarët dhe mediat të shtrojnë pytje çfarë integriteti duhet të ketë presidentja e ardhshme. Ministrat e saj duhet të votojnë kundër për këtë ligj. PDK do të vazhdojë të mbrojë institucionet e Kosovës dhe nuk do ta përkrahim Ligjin për Zgjedhje”, është shprehur ai.

Sipas Hoxhës, qytetarët kanë votuar për stabilitet e siguri në zgjedhjet e fundit, andaj vetëm mazhoranca ka mundësinë ta dërgojë vendin në zgjedhje.

“Qytetarët kanë votuar për stabilitet, për siguri. Qytetarët besojnë se qeveria duhet të zgjidhë të problemet që i kanë me pandeminë. I ftoj të gjithë miqtë ndërkombëtarë që ta thonë fjalën e tyre sonte, për atë se në çfarë drejtimi po lëviz Kosova. Nuk do ta lejojmë që dikush me synimi e çkapjes së shtetit, ta ngulfat demokracinë. Kjo ngjarje e sotme është emëruese e përbashkët e një mendësie autoritare. Për zgjedhje të reja dhe kush e çon vendin në zgjedhje të reja, është e gatshme vetëm shumica e re parlamentare. I takon vetëm mazhorancës që të vendos për këtë. Ne si parti politike jemi të gatshëm ta respektojmë vullnetin e qytetarëve më 14 shkurt”, deklaroi Hoxhaj.