Arbëri

Shkrimet e KOHËS për universitetin ilegal ECDP që shpërtheu si skandal në Serbi shkaku i doktorantëve nga Kosova

Gjatë shkurtit të vitit 2015, gazeta “KOHA Ditore” kishte sjell në tri vazhdime hulumtimin për Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim, e transformuar në universitet dhe që ka funksionuar për nëntë vjet pa licencë dhe pa akreditim.

Së fundi, ky institucion arsimor i mbyllur tashmë në Kosovë, është përfshirë në një skandal në Serbi, në lidhje me ndarjen e disertacioneve të doktoratës për shqiptarë nga Kosova. Sipas mediave serbe, doktorantëve nga Kosova u ishin lëshuar diploma nga Universiteti i Kragujevcit pa qenë kurrë pjesë e tij.

Image

ECPD-ja në Kosovë ishte krijuar si qendër rajonale dhe më vonë kishte avancuar statusin në universitet.

“KOHA” kishte raportuar atëkohë se pushteti ka qenë në dijeni për veprimtarinë e tij. Dhe, jo që nuk e ka penguar, por nëpërmjet një kontrate i ka dhënë lirinë për të funksionuar jashtëligjshëm, pa akreditim dhe pa licencë, dhe që diplomat që lëshon të mos i nënshtrohen njohjes a nostrifikimit. E ka ndihmuar edhe me godina, e madje ka ndarë bursa për të “shkolluar” aty kuadro që sot janë anëtarë të korit diplomatik.

Kontrata e ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja dhe përfaqësuesve të ECPD-së për themelimin e Universitetit Evropian për Studime Zhvillimore, parashihte që shteti të ndante edhe bursa për studentët që vijonin studimet aty. Gazeta kishte siguruar një listë kandidatësh që kishin marrë ose ishin në proces të marrjes së diplomave për master a doktoratë, e që kostoja e shpenzimeve të tyre është hequr nga arka e shtetit. Bursa për një kandidat ka shkuar deri në 14 mijë euro. Pos një numri kuadrosh të korit diplomatik kosovar, studimet në ECPD i kanë ndjekur edhe shumë zyrtarë të administratës, politikanë e figura publike.

Pas dy shkrimeve të para, si reagim, ish-ministri i asaj kohe Arsim Bajrami, kishte shpallur veprimtarinë e ECPD-së dhe diplomat e lëshuara si jolegale.

Image

Ky hulumtim ishte shpallur më i miri për vitin 2015 nga Bashkimi Evropian për gazetari hulumtuese në Kosovë.

E pas mbylljes së dyerve në Kosovë, kërkohej zgjidhje jashtë saj.

Kësisoj, mediat në Serbi shkruajnë se gjatë vitit 2016, 15 shqiptarë nga Kosova kanë fituar disertacionin e doktoratës në Universitetin e Kragujevcit. Sipas drejtuesve të tashëm të këtij universiteti, kjo ishte bërë pasi rektor në Universitetin e Kragujevcit dhe dekan në ECPD ishte i njëjti person – Nebojsha Arsenijeviq.

Sipas mediave serbe, doktorantëve nga Kosova u ishin lëshuar diploma nga Universiteti i Kragujevcit, në mënyrë të fshehtë, pa u regjistruar në asnjë program studimor.

Dy prej atyre që u janë nxjerr emrat nga mediat serbe, KOHA i ka kontaktuar dhe ata kanë thënë se kjo nuk është e vërtetë. Sipas tyre, e vërteta është se ata kanë ndjekur ligjëratat e ECDP-së në Prishtinë dhe se diplomat i kanë marrë në Shkup.

Pas pak, KOHA do të publikojë të plota shkrimet e botuara në “KOHA Ditore” më 9, 10 e 11 shkurt.

Image