Madrid, 1 prill (KD) - Disfata në ndeshjen e mbrëmshme në Sevilla e ka lënë Kosovën pa asnjë pikë në garat kualifikuese për Kupën Botërore, por përfaqësuesja nuk kthehet duarthatë nga Spanja. Siç ka bërë të ditur Qeveria spanjolle mëngjesin e së enjtes, në shenjë falënderimi për lojën korrekte dhe të guximshme, dhe sidomos pasi përfaqësuesja spanjolle shënoi fitore dhe siguroi tri pikë të vlefshme, është vendosur që Mbretëria e Spanjës ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës.
“Kemi thënë se sporti është sport dhe politika është politikë, dhe këto dy gjëra nuk duhet përzier. Por, në rastin e Kosovës, pas ndeshjes së mbrëmshme, dhe lojës korrekte e të guximshme të treguar në fushë nga futbollistët kosovarë, nuk kemi mundur t’i lëmë ata që të kthehen në shtëpi duarthatë. Andaj, kemi vendosur që prej sot ta njohim Pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha González Laya.
Spanja është e gatshme që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, ka thënë Laya, duke shtuar se do të kërkojë nga Prishtina zyrtare mirëkuptim që ambasada e Kosovës të mos vendoset në Barcelonë, siç është marrë vesh se kërkon të bëjë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Do të preferonim që Kosova të ketë ambasadë në Madrid. Në Barcelonë mund të hapni konsullatë apo zyrë ekonomike. Kjo do të ishte më e përshtatshme, besoj”, ka thënë ministrja Laya.
Ndërkohë, mediat spanjolle kanë raportuar se vendimi i Qeverisë në Madrid vjen si pasojë e një peticioni të nënshkruar nga shumica e lojtarëve të përfaqësueses së Spanjës, përfshirë përzgjedhësin Luis Enrique, të cilët janë befasuar me korrektësinë e lojës së përfaqësueses së Kosovës.
“Përzgjedhësi Enrique është befasuar me nivelin e lojës së kosovarëve. Pas gjithë dramës politike të krijuar pa pikë nevoje, Enrique i kishte thënë shtabit të tij teknik se është e domosdoshme që kosovarët të shpërblehen për mënyrën dinjitoze si i kanë pranuar presionet nga shteti spanjoll, dhe në fushë nuk kanë treguar asnjë shenjë të mungesës së respektit dhe korrektësisë”, shkruan sot gazeta sportive “Marca”.
Sipas gazetës tjetër sportive “AS”, propozimi i Enriques që përfaqësuesja spanjolle t’i shkruajë Qeverisë së vet një peticion në mbështetje të Kosovës dhe njohjes së pavarësisë është përkrahur nga shumica e lojtarëve. “Kundër ishin vetëm Morata, që nuk arriti të shënonte gol, dhe portieri Unai Simon, që mbeti i mllefosur nga goli i pranuar prej Besar Halimit”, shkruan “AS”.
Në Prishtinë, ndërkohë, ende nuk ka reagime zyrtare, por merret vesh se diskutimet kanë nisur tashmë për ceremoninë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe hapjes së ambasadës në Madrid. “Është imperative që sa më parë të përmbyllet ky proces, sepse është një dritare e papritur e mundësisë që na është hapur, porse ka rrezik që ajo dritare e mundësisë edhe të mbyllet, andaj na duhet të reagojmë sa më parë”, u ka thënë Kurti bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, në mbledhjen e mbajtur në orët e para të mëngjesit, në kabinetin e kryeministrit.
Sipas burimeve diplomatike, frika kosovare se vendimi spanjoll mund të edhe të përmbyset është e arsyetuar. “Shihni, spanjollëve nuk është për t’u besuar. Ata edhe mund të ndërrojnë mendje, sidomos nëse Beogradi apo Moska ndërhyjnë me ndonjë ofertë të pandershme”, ka thënë një diplomat evropian, që foli me kushte anonimiteti. “Kosova do të bënte mirë që sa më parë, mundësisht deri në mesditë sot, t’i hapë kanalet e komunikimit e t’i vendosë marrëdhëniet diplomatike me Madridin, dhe po ashtu t’u dërgojë një emër për ambasador”, ka thënë diplomati evropian.
Ndërkohë, edhe Washingtoni kërkon veprim të menjëhershëm nga Kosova, duke shtuar se në këtë moment duhet lëvizur shpejt dhe pa hamendje. “Kosova qysh sot duhet t’i përmbyllë proceset e brendshme që mund të jenë pengesë, të zgjedhë pra presidenten e vendit, e cila duhet të jetë e zgjedhur për ta nënshkruar dekretin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe për ta nënshkruar dekretin e emërimit të ambasadorit në Madrid. Kjo punë mund të bëhet, dhe ndoshta lajmi nga Spanja është shenjë e mirë edhe për zgjedhjen e presidentes, sepse tani bllokuesve të procesit mund t’u ofrohet një hise në raportet e reja me Spanjën”, ka thënë një diplomat amerikan, i cili nuk deshi t’i përmendej emri. I pyetur të sqarojë se çka mund të nënkuptohet me “hise në raportet e reja me Spanjën”, diplomati tha: “Po, është e qartë, vendi i ambasadorit në Madrid mund të jetë hisja”.
Një deklarim i tillë tashmë ka ndezur edhe partitë opozitare, me PDK-në të parën që u ofrua si partner në ndarjen e kulaçit spanjoll. “PDK-ja është parti me përvojë dhe me kuadro të përgatitura për një përgjegjësi të tillë madhore siç është hapja dhe udhëheqja e ambasadës së Kosovës në Spanjë”, citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë i PDK-së, duke shtuar se janë të shumtë emrat e atyre në PDK që mund ta kryejnë punën e ambasadorit në një vend të tillë si Spanja. “PDK-ja sa ka anëtarë aq ka edhe diplomatë e ambasadorë”, ka thënë zyrtari i PDK-së.
Një përgjigje jo shumë e ndryshme ka ardhur edhe nga LDK-ja, e cila ka përkujtuar se ajo ka marrë vendimin e duhur për të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentes Osmani edhe pa pasur asnjë kundërshpërblim. “Mendojmë që është rendi që LDK-ja të marrë postin e ambasadorit në Spanjë, meqë ne nuk e kemi kushtëzuar përkrahjen tonë për zonjën Osmani, edhe pse kemi pasur mundësi, dhe në anën tjetër një shpagim i tillë do të na ndihmonte t’i bindim edhe ata pak dyshues brenda partisë sonë që zgjedhja e Vjosës është në favor të vetë LDK-së”, ka thënë një zyrtar nga LDK-ja, duke shtuar se LDK-ja në Spanjë do të mund të dërgonte një profil të lartë politiko-diplomatik, një ish-ministër të Brendshëm, apo ish-ministër të Jashtëm, apo edhe ish-kryeministër, dhe kjo “sigurisht se do t’ua bënte qejfin spanjollëve… do të shihej si shenjë e respektit më të lartë”, tha zyrtari. “Paramendojeni sikur SHBA-ja në Madrid për ambasador ta dërgonte Bill Clintonin apo Hillary Clintonin… ky do të ishte ekuivalenti që LDK-ja mund të dërgojë në Spanjë për ta përfaqësuar Kosovën”.
Megjithatë, zhvillimet e fundit nuk janë pritur mirë te të gjitha partitë në Kosovë.
AAK-ja ka thënë se kjo parti mbetet e habitur pse Qeveria nuk ia ka bërë një ofertë, dhe se pa e pa një ofertë nuk mund të flasin se çka mund të ofrojnë ata si parti.
Ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila ka thënë se çështjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Spanjën dhe hapjen e ambasadës në Madrid do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që ka përmendur se kjo është një shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Washingtonit.
Por, reagimi më i ashpër ka ardhur nga Partia Social Demokrate, lideri i së cilës ka paralajmëruar një performancë para ndërtesës së Qeverisë për të enjten në mesditë. “Sepse, populli duhet ta dijë, ky është një mashtrim i radhës, është një gënjeshtër që Vetëvendosja e ka lansuar, dhe nuk është koincidencë që gjithçka ndodh pikërisht në Ditën e Rrenave”, ka thënë lideri i lartpërmendur.
I befasuar me të gjitha këto zhvillime është shfaqur edhe përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, i cili me të zbritur nga aeroplani special, që erdhi në mëngjes në Prishtinë direkt nga Sevilla, tha:
Aprililililiillililiil…