Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente. Në një postim në Twitter, ai ka kërkuar që të njëjtën ta bëjnë të gjithë deputetët dhe që të shmangin zgjedhjet e reja.
“Me shpresë se të gjithë deputetët e zgjedhur do të ndjekin këtë vendim dhe të vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi partitë. Nuk mund ta imagjinoj rrezikun e zgjedhjeve të reja në pikun e pandemisë”, ka shkruar ai.
Të martën LDK-ja vendosi që të shkojë në seancën për votimin e ish-nënkryetares së saj, Vjosa Osmani, për presidente.
LDK-ja ka fituar 15 ulëse në Kuvend.
Për të zgjedhur presidentin, në votimin e tretë duhet të jenë 80 vota minimum, me 61 prej tyre pro një kandidati. Vetëvendosje ka 58 vota, ndërsa pritet t’i ketë edhe 8 të tjera nga minoritetet jo shumicë. Bashkë me to, i duhen minimum 14 vota nga LDK-ja për të siguruar kuorumin e nevojshëm.
Osmani në listën e VV-së në garë mori pjesë si pretendente për presidente. Ajo mori mbi 300 mijë vota.
Nuk dihet se kur do të mbahet seanca për presidentin.