Arbëri

Ministri Sveçla priti në takim shefin e ICMP-së Matthew Holliday, flasin për të zhdukurit

Ministri Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim shefin e programit për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) Matthew Holliday, i cili ishte i shoqëruar nga zyrtari i programit për Kosovë dhe rajon nga kjo organizatë Ylber Morina.

Gjithashtu, në këtë takim morën pjesë Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri dhe Shefja e Kabinetit të ministrit, Jeta Tela-Shema.

Ministri Sveçla theksoi se e çmon shumë angazhimin e kësaj organizate në çështjen e personave të zhdukur në Kosovë, si një ndër temat më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe më me prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Holliday, foli për angazhimin e tyre sa i përket çështjes së personave të zhdukur në Kosovë duke i dhënë edhe theks të veçantë nevojës për forcimin e bashkëpunimit mes ICMP-së dhe MPB-së , me qëllim të ofrimit të ndihmës në lidhje me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Ministri Sveçla u zotua se për çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur do të ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme si dhe u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë.