11 perditesime
12:13

Konjufca e ka pranuar postin e kryetarit të Kuvendit dhe u.d. së presidentit nga Osmani

Glauk Konjufca e ka pranuar postin postin e kryetarit të Kuvendit nga ish-kryetarja Vjosa Osmani. Me këtë ka pranuar edhe pozitën e ud. së presidentit të Kosovës.

Konjofuca ka falënderuar Osmanin për kontributin dhe ka thënë se është i bindur se shumë shpejt ajo do të zgjidhet presidente e Kosovës.

“Faleminderit z. Osmani, kryetare e Kuvendit. Për nga mosha parlamentare e angazhimi jemi pak a shumë të njëjtë. Ajo ka kryer me shumë përgjegjësi të lartë edhe detyrën e u.d. presidentes të Kosovës, e po e kryen deri në këto momente, kur po ma bartë përgjegjësinë. Prandaj jam shumë i nderuar që këtë përgjegjësi po e marr nga ju znj. Osmani. Keni dhënë shembull të shkëlqyeshëm në politikë, e kudo. Kështu që më vjen mirë që përmes zgjedhjes së kryetarit e kryesisë së Kuvendit u hap rruga për institucionet e Kosovës të shkojnë hapave të tjerë. Për zgjedhjet e Qeëverisë së Kosovës, por shumë së shpejti edhe për ju si presidente e ardhshme e Kosovës”, tha Konjufca, që ka thënë se seanca për zgjedhjen e Qeverisë mund të mbahet për disa orë.

11:53

Konjufca falënderon qytetarët: Pa votën e tyre nuk do të mund të vinim këtu

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas zgjedhjes ka deklaruar detyrën e tij do ta kryejë me nder dhe përgjegjësi.

"Për mua nuk do të ketë deputetë të kësaj apo asaj partie. Për mua si kryetar i Kuvendit do të ketë deputetë të barabartë të popullit të Kosovës, sepse kështu jeni. Të gjithë së bashku dhe në emër tuajin, po i falënderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës meqë pa votuar ata, ne nuk do mund të vinim këtu. Na priftë e mbarë dhe e shpall të mbyllur këtë seancë. Për seancën e zgjedhjes së qeverisë do t’iu lajmërojmë me kohë”, ka deklaruar Konjufca.

Me 69 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga LVV-ja është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.

11:31

Konjufca zgjidhet kryetar i Kuvendit

Me 69 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit.

Konjufcë është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje derisa në sallë në momentin e votimit ishin 113 deputetë.

Për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës, VV-ja ka propozuar Saranda Bogujevcin, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar Bedri Hamzën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar Kujtim Shalën.

Të propozuarit janë votuar me 107 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim.

Lista Serbe për nënkryetarë të Kuvendit ka propozuar Sllavko Simiqin ndërsa partitë tjera joshumicë kanë propozuar Bekim Arifin. Të dy të propozuarit janë zgjedhur me 91 vota pro, 6 kundër dhe 10 abstenime


Xhavit Haliti, deputeti i vetëm i PDK-së që votoi për zgjedhjen e Konjufcës si kryetar i Kuvendit

Me 69 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit.

Partitë opozitare votuan kundër këtij propozimit të Lëvizjes Vetëvendosjes, përveç Xhavit Halitit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Haliti ishte i vetmi nga PDK-ja që dha votën për zgjedhjen e Konjufcës në krye të Kuvendit.

Image
11:27

Betohen 114 deputetë

Deputetët prezentë në sallën e Kuvendit të Kosovës janë betuar për mandatin e tyre si deputetë. Në sallë aktualisht janë 114 deputetë, të cilët janë betuar nën udhëheqjen e seancës nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari.

Deputetët janë betuar “se do të punojnë për popullin dhe shtetin e Kosovës”.

11:26

Miratohet Raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve

Me 114 vota, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Raportin e verifikimit të kuorumit dhe mandateve. Në votim nuk pati votë kundër as abstenuese, derisa anëtari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se dokumentacioni është shqyrtuar në mbledhjen e mbajtur të anëtarëve të zgjedhur.


Bekim Arifi do të jetë nënkryetar i Kuvendit nga komunitetet joserbe

Deputeti Bekim Arifi do të jetë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komunitetet joserbe, apo i njohur si grupi 6+.

Këtë e ka konfirmuar Duda Balje nga komuniteti boshnjak për gazetarin e KOHËS, Besnik Krasniqi.

Ndërkohë, Adem Hoxha nga komuniteti goran do të jetë sërish pjesë e Listës Serbe, ndërsa Fadil Gashi nga Romani Iniciativa është ende i pavendosur. Romani Iniciativa është subjekt i ri politik që është thënë para zgjedhjeve që është parti satelite e Listës Serbe.

10:57

Formohet Komisioni për verifikimin e kuorumit dhe mandateve

Me 114 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka votuar Komisionin për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, si pikë e parë e rendit të ditës. Grupet parlamentare kanë propozuar deputetët e tyre për anëtarë të Komisionit.

Lëvizja Vetëvendosja: Adnan Rrustemin

Partia Demokratike e Kosovës: Ganimete Musliun

Lidhja Demokratike e Kosovës: Besian Mustafën

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Time Kadrijaj

Lista Serbe: Zoran Mojsiloviq

Partia turke: Fidan Jilta

IRDK-ja: Elbert Krasniqin

VAKAT: Barim Shabanin

Lëvizja Përparimtare të Romëve të Kosovës: Ergjan Galushin

Romani Iniciativa: Fadil Gashin

SDU-ja: Duda Baljen

Partia e Ashkalinjve për Integrim: Bekim Arifin

Nova Demokratska Stranka: Emilja Rexhepin

JGP-ja: Adem Hoxhën.

“Kuvendi i emëroi anëtarët e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit e mandateve të deputetëve me 114 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim. Ftoj Komisionin të takohet menjëherë në sallën numër 10 e pastaj Kuvendit ta paraqesë raportin. Derisa Komisioni ta bëjë punën e vet do të kemi 20 minuta pushim”, ka thënë Dehari, që po e kryeson seancën.


Osmani dhe Abdixhiku përshëndeten në Kuvend

Vjosa Osmani, kandidate për presidente nga Lëvizje Vetëvendosje, është parë duke u përshëndetur me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Osmani pritet që në ditët në vijim të takohet me Abdixhikun për të diskutuar edhe një herë çështjen e presidentit, nëse LDK-ja do ta votojë ose jo Osmanin për këtë pozitë.

Ndërkohë që pas formimit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi ka shkuar në pauzë 20 minutëshe.

Image
10:33

Fillon seanca konstituive

Ka filluar seanca konstituive në Kuvendin e Kosovës, e udhëhequr nga deputeti në i vjetër në Kuvend, Avni Dehari dhe deputetja më e re, Adelina Grainca. Dehari është nga Lëvizja Vetëvendosje ndërsa Grainca nga Partia Demokratike e Kosovës.

Dehari u ka uruar mirëseardhje deputetëve dhe mysafirëve në legjislaturën e tetë.

10:16

Sot pasdite do të formohet Qeveria “Kurti 2”

Krahas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, gjatë pasdites sotme pritet të formohet edhe qeveria e re.

KosovaPress mëson se posa të merr detyrën si kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, njëherësh të bëhet edhe ushtrues detyre i presidentit, do ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër të vendit.

Ky bashkë me kabinetin e tij qeveritar do të tentojë ta marrë votat e nevojshme në Kuvend dhe të betohet para të zgjedhurve të popullit.

Ndërkohë, një lajm të tillë e konfirmoi edhe ish-deputeti i VV-së, Taulant Kryeziu, përmes një shkrimi në Facebook, duke thënë se “sot do të votohet Qeveria që e deshi dhe e votoi në mënyrë masive populli”.


Lirohen nga detyra shumica e ministrave në Qeverinë Hoti

Meqë sot do të mbahet seanca konstituive për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, ministrat e qeverisë Hoti që do të jenë në pozitën e deputetit, janë liruar nga detyra.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Besnik Tahiri, dhe ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ,kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në Qeverinë në detyrë në ditën kur pritet të votohet Qeveria e re në krye me Albin Kurtin.

Pas kërkesës së tyre, nga detyra është liruar edhe zëvendëskryeministri tjetër Driton Selmanaj, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, dhe ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi.

10:09

Osmani me deputetët e Listës “GUXO” futet në sallën e Kuvendit

Vjosa Osmani bashkë me deputetët e Listës “GUXO”, që kandiduan në një listë me Lëvizjen Vetëvendosje, janë futur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës sot do mbajë seancën konstituive të legjislaturës së tetë.

09:59

Albin Kurti arrin në Kuvend

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka arritur në Kuvend, pak minuta para fillimit të seancës konstituive të legjislaturës së tetë.

Kurti nuk është deklaruar për media para se të hyjë në ndërtesën e Kuvendit.


Vetëvendosje paralajmëron se sot do të votohet Qeveria Kurti 2

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kryeziu, përmes një shkrimi në Facebook ka paralajmëruar votimin e Qeverisë Kurti 2 gjatë ditës së sotme.

Kryeziu ka shkruar se “sot do të votohet Qeveria që e deshi dhe e votoi në mënyrë masive populli”.

Pas pak minutave pritet të fillojë seanca konstituive për Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj: Do të veprojmë si opozitë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të veprojnë si opozitë konstruktive.

Haradinaj ka uruar deputetët e zgjedhur, ndërsa ka konfirmuar se Besnik Tahiri do të jetë shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.

“I uroj të zgjedhurve sukses në punë dhe shpresoj që qytetarët do t’i presion ato që ndodhin. Ne kemi takim me Shefin Parlamentar, Besnik Tahiri, përndryshe do të veprojmë si opozitë”, ka njoftuar Haradinja, raporton EO.

09:37

Deputetët nisin të hyjnë në Kuvend

Në ora 10:00 pritet të fillojë seanca konstituive e legjislaturës së tetë në Kuvendin e Kosovës. Tashmë në objektin e Kuvendit kanë filluar të hyjnë deputetët e legjislaturës së re.

Kujtim Shala, Bekë Berisha, Saranda Bogujevci, Duda Balje, Agim Veliu dhe të tjerë deputetë tashmë veçse kanë hyrë në Kuvend.

Në Kuvend ka hyrë edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Edhe Igor Simiq nga Lista Serbe ka arritur në ambientet e Kuvendit.


Ambasadori amerikan ia mësyn Kuvendit

Kanë mbetur edhe pak minuta për të filluara seanca konstituive e legjislaturës së tetë. Përveç deputetëve të rinj të kësaj legjislature në objektin e Kuvendit tashmë ka arritur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Në Kuvendin e Kosovës po ashtu ka ardhur edhe i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Seanca konstituive pritet të fillojë në orën 10:00.

Image
08:05

Sot mbahet seanca konstituive

Konstituimi i legjislaturës së tetë, ku pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, do të bëhet sot në orën 10:00.

Sipas njoftimit të administratës së Kuvendit, pikë e parë do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Edhe pse janë premtuar veprime të shpejta në konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë votimit të kabinetit qeverisës, një gjë e tillë nuk është e sigurt. Kjo, për shkak të mosmarrëveshjeve mes komuniteteve joserbe, disa prej të cilave ende nuk janë përcaktuar nëse do të jenë pjesë e Qeverisë apo e opozitës.

Për pasojë, ato nuk kanë një marrëveshje për emrin që duhet ta propozojnë për nënkryetar të Kuvendit, i cili u takon në bazë të Kushtetutës.

Legjislatura nuk konsiderohet e konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetarët.

Ndërkaq, një proces votimi zhvillohet në pako për nënkryetarët e propozuar nga partitë e komunitetit shumicë, kurse votimi i dytë bëhet për dy nënkryetarët e tjerë – atë serb dhe nënkryetarin që propozohet nga komunitetet e tjera jo serbe.

E, votimi për kryetarin e Kuvendit bëhet veçmas.

E drejta e propozimit të kandidatit i takon partisë fituese dhe ai pritet të jetë Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.

Nuk dihet nëse edhe Qeveria do të votohet të hënën dhe se kush do ta ushtrojë detyrën e presidentit, pas zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri.

Por zyrtarë të Vetëvendosjes kanë lënë të kuptohet se kryeparlamentarja aktuale, Vjosa Osmani, do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e kreut të shtetit dhe se zgjedhja e Qeverisë do të bëhet para zgjedhjes së presidentit.

Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit me 50.28 për qind të votave dhe do të ketë 58 ulëse në Kuvend nga 120 sa janë.