Iniciativa për Progres (INPO) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) kanë publikuar dy raporte të monitorimit të Prokurimit Publik në 20 komuna të Kosovës. Raportet përfshijnë analizimin e planeve të prokurimit për vitin fiskal 2020, të komunave të fokusit, duke analizuar nëse të njëjtat plotësojnë kërkesat ligjore për hartimin e tyre. Analiza ka përfshirë mestarisht pesë aktivitete të prokurimit të kategorisë punë dhe pesë për furnizime.
Gjetjet e prezantuara nga hulumtuesja e INPO-s, Samire Sahiti, tregojnë se sa i përket aktiviteteve për punë, përveç Komunës së Kamenicës, Mitrovicës së Veriut, Vitisë dhe Gllogocit, komunat tjera kanë planifikuar të shpenzojnë shumë më shumë sesa që kanë buxhet në dispozicion. Kryesisht këto dallime të mëdha janë pasojë e asaj se komunat dështojnë që në plane të prokurimit të saktësojnë që projekti është me kohëzgjatje një, dy apo më shumë vjeçar.
Tutje, ajo ka thënë se komunat kanë inicuar aktivitete për punë në vlerë më të madhe se sa ajo që është planifikuar për aktivitete. Kjo dukuri e mosrespektimit të planit të prokurimit vërehet tek të gjitha komunat e monitoruar, përjashtuar Komunën e Mitrovicsë së Jugut, Deçanit, Gjakovës, Mitrovicë e Veriut, Vushtrrisë dhe Leposaviqit, tha ajo.
Ndërkaq sa i përket planifikimit të aktiviteteve të prokurimit për kategorinë furnizim, gjetjet e raportit tregojnë se asnjë nga komunat e monitoruara nuk kanë përmbushur kërkesat dhe standardet ligjore për planifikim.
Ndërkaq, Qëndrim Arifi, tha se gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e këtij raporti janë bërë nga monitorimi i 81 aktiviteteve të prokurimit, respektivisht, dyzet e një aktivitete të prokurimit janë monitoruar nga faza e inicimit e deri te nënshkrimi i kontratës dhe dyzet aktivitete të menaxhimit. Monitorimi përfshinë njëzet komuna të Republikës së Kosovës. Secilës komunës mesatarisht i janë monitoruar dy aktivitete të prokurimit nga faza e inicimit deri te nënshkrimi i kontratës dhe dy aktivitete të menaxhimit të kontratave, përkatësisht nga faza e nënshkrimit deri në përfundim të implementimit të kontratës.
Arifi tha se “në përgjithësi gjetjet tregojnë se integriteti i procesit të prokurimit publik në komunat e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë i cenueshëm. Diskriminimi apo trajtimi jo i barabartë i OE-ve si rezultat vendosjes së kritereve diskriminuese në dokumentet e tenderit, të cilat krijojnë pabarazi dhe kufizim të konkurrencës vazhdon të jetë problem kryesor në komuna.”
Po ashtu, administrimi i dobët i implementimit të kontratave, ku përfshihet mos hartimi i planeve të menaxhimit të kontratave konform kërkesave ligjore, mos dorëzimi i tyre në zyrat te prokurimit, hartimi i tyre para nënshkrimit të kontratës apo edhe para emërimit të menaxherit të kontratës janë probleme të cilat komunat duhet t’i adresojnë, shtoi ai.
Në këtë konferencë u rekomandua që komunat të punojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe proaktive në ngritjen e transparencës, mbi mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e të gjithë zyrtarëve të përfshirë në procedura të prokurimit publik, të cilët haptas veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik sa i përket, planifikimit të prokurimit, afateve për tenderim, aplikimin e kritereve kufizuese/diskriminuese dhe të tjera veprime që e cenojnë në çfarëdo forme integritetin e proceseve të prokurimit publik.
“Po ashtu, zyrtarët e INPO-s rekomanduan që administrimi i implementimit dhe menaxhimi i kontratave të jetë më cilësor dhe më llogaridhënës. Menaxherët e kontratave të jenë më të përgjegjshëm dhe aktiv në kryerjen e detyrave dhe obligimeve për zbatim të suksesshëm të kontratave”, thuhet në komunikatën adresuar mediave.