Arbëri

Kërkohet nga qytetarët që të aplikojnë për legalizim, ndryshe i pret rrënimi i ndërtimeve

Qytetarët e Republikës të Kosovës duhet të aplikojnë sa më parë për legalizimin e ndërtimeve të tyre, përndryshe automatikisht rrezikojnë ndërtimin e objekteve të tyre. Kështu u tha në Forumin Virtual për Legalizimin e Ndërtimeve pa Leje të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës.

Aty u tha se është i madh potenciali i humbur ekonomik nga pamundësia e shfrytëzimit të pronave të legalizuara, ndërsa u theksua se pasi të legalizohen dhe regjistrohen në kadastër, ndërtimet pa leje hyjnë në qarkullim zyrtar ekonomik dhe mund të shfrytëzohen për të lehtësuar qasjen në financa dhe rritjen ekonomike duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Avni Ahmeti nga Agjencia Kadastrale e Kosovës tha se një pronë e palegalizuar nuk mund të regjistrohet në kadastër.

Si rezultat i reformave të ndërmarra nga kjo agjenci, Ahmeti tha se kanë arritur të shmangin procedurat burokratike, teksa ftoi institucionet publike që të veprojnë në përputhshmëri me këto kornizat ligjore që janë në fuqi.

Ai përmendi edhe përfitimet nga procesi i legalizimit.

“E rëndësishme në këtë fazë është aplikimi për legalizim të objektit, pastaj çështjet teknike dhe pronësore mund të zgjedhën me një fazë të ardhshme. Mirëpo, nëse nuk aplikon tash automatikisht e rrezikon ndërtimin që e ke bërë për rrënim... Një pronë e legalizuar dhe e regjistruar në kadastër mund të jetë pjesë e hipotekës, një pronë e legalizuar dhe e regjistruar në kadastër mund të shitet dhe mund të blihet, mund t’i lihet trashëgimtarëve me një akt noterial, por edhe për një pronë për të cilën ne aplikojmë për legalizim ne sigurojmë mosrrënimin e atij objekti. Kështu që inkurajoj të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi, kjo mundësi nuk vjen dy herë”, tha ai.

Për ndërtimet në zona publike, ai bëri të ditur se edhe këto raste duhet të aplikojnë për legalizim, teksa shtoi se kjo ka ardhur si rezultat i keqmenaxhimit të institucioneve ndërsa për një kohë do të jenë në listë të pritjeve.

Drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit, Servet Spahiu tha se në 6 mujorin e fundit ka rritje të interesimit të qytetarëve për legalizim.

Ai bëri të ditur se deri në muajin shkurt në databazën e aplikacionit për legalizim janë regjistruar 3 mijë aplikime, teksa shtoi se ky numër tashmë mund të sillet rreth 5 mijë.

Ai tha se komuna e Prishtinës dhe ajo e Graçanicës kanë arritur të kenë 465 legalizime të finalizuara, teksa shtoi se vlera e tyre arrin shumën prej 72 milionë euro deri në 96 milionë euro, e të cilat mund të kthehen në treg dhe të përdoren.

“Deri në shkurt janë në regjistër në databazën për legalizim 3 mijë aplikacione... Prej këtyre 3 mijë aplikacioneve që janë, në bazë të dhënave të fundit del se janë 800 ndërtime që kanë marrë certifikatë të ndërtimit dhe që janë regjistruar në kadastër dhe i kanë kryer të gjitha procedurat, pronarët i kanë marrë certifikatën e legalizimit dhe regjistrimin e pronës. Ndërsa pjesa tjetër, munden me qenë në procedura, ose munden me qenë në listë të pritjes”, tha ai.

Drejtori i Urbanizimit në komunën e Prishtinës, Ardian Olluri tha se procesi i legalizimit nuk është komplet në përputhje me praktikën e funksionimit të organeve administrative, për çka janë angazhuar që së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës të tejkalojnë sfidat.

Ai bëri të ditur se komuna e Prishtinës ka ndarë në dy kategori objektet që do të aplikojnë për legalizim, teksa shtoi se taksa për kategorinë e parë është 1 euro, ndërsa për të dytën 2 euro.

“Ne filluam me i trajtu fillimisht objektet e kategorisë së parë për shkak se numri i më i madh i objekteve pa leje bie në këtë kategori, por edhe duke marrë parasysh që procesi i trajtimit të këtyre objekteve është më i thjeshtë, me qëllim që procesi të fillojë shpejt dhe të kemi rezultate të shpejta për të dërguar mesazhe ët shpejta tek qytetarët, e pastaj me vazhdu me kategorinë e dytë, që është pak më e ndërlikuar, por që është duke shkuar mirë”, tha ai.

Për të lehtësuar këtë proces, ai tha se kanë funksionalizuar Aplikacionin për regjistrimin e lëndëve të cilat janë në proces të legalizimit, e që është vegël e komunave për administrimin dhe trajtimin e lëndëve.

Ndërsa drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se është i madh është i madh potenciali i humbur ekonomik nga pamundësia e shfrytëzimit të pronave të legalizuara, si hipotekë për qasje në financa, për aktivitete afariste e investive.

“Paqartësitë ligjore, mungesa e planeve rregullative, burokracia e tepruar por edhe mungesa e vetëdijësimit lidhur me rëndësinë e një procesi të tillë kanë bërë që ndërtimet e egra të zënë vend anë e kënd Kosovës. As tentimet e para për trajtimin e ndërtimeve ilegale nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të procedurave burokratike... Sot situata është ndryshe... Procedurat për legalizim janë më të thjeshta. E Kryerja e një procesi të tillë sjellë përfitime të shumë dimensionale për qytetarët dhe bizneset, duke nisur nga shfrytëzimi i papenguar i të drejtave pronësore por edhe vënien e këtyre pronave në funksion të zhvillimit ekonomik. Është i madh potenciali i humbur ekonomik nga pamundësia e shfrytëzimit të pronave të legalizuara, si hipotekë për qasje në financa, për aktivitete afariste e investive”, u shpreh ai.

Me ligj të legalizimit një pronë konsiderohet e legalizuar vetëm kur të regjistrohet në kadastër.

Në rastet kur një kompani ndërtuese është shuar apo ka ndryshuar emrin e saj pronarët e njësive mund të aplikojnë për legalizim të objektit.

Objektet e ndërtuara deri në vitin 2004 dhe rastet sociale janë të liruara nga taksat, të cilat i merr përsipër komuna. Ndërsa kategoria e parë paguan taksë prej 1 euro për metër katrorë dhe kategoria e dytë paguan taksë 2 euro për metër katrorë.

Numri i përgjithshëm i ndërtimeve të legalizuara dhe të regjistruara në kadastër në Komunën e Prishtinës dhe Graçanicës deri në shkurt 2021 është 456, objekte të cilat arrijnë vlerën prej 72.6 milionë euro deri ne 96.6 milionë euro./KSP