Arbëri

Avokati i Popullit: Gjatë emergjencës shëndetësore në Kosovë kishte shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut

Avokati i Popullit publikoi raportin me rekomandime në lidhje me vlerësimin e realizimit të të drejtave shëndetësore gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Sipas raportit, Gjatë emergjencës shëndetësore në Kosovë kishte shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut

“Në bazë të fakteve të mbledhura dhe analizimit të ligjeve relevante të cilat përcaktojnë të drejtën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në Kosovë, është konstatuar se gjatë emergjencës shëndetësore në Republikën e Kosovës kishte shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Autoritetet përkatëse kanë dështuar të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore kundrejt qytetarëve, që potencialisht kanë pasur nevojë për shërbime shëndetësore. Raporti po ashtu konstaton se një ndër sfidat tjera gjatë periudhës së raportimit ishte mungesa e bombolave të oksigjenit dhe krijimi i hapësirave shtesë me shtretër për të hospitalizuarit me COVID-19”, thuhet në raport.

Avokati i Popullit gjithashtu ka bërë rekomandime për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Raporti rekomandon Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe t’i krijojë të gjitha parakushtet që vizitat specialistike dhe operacionet selektive të kryhen pa pengesa. SHSKUK-ja po ashtu rekomandohet që të vazhdojë me vendosjen e rezervuarëve të oksigjenit në spitalet e përgjithshme ku është nevoja dhe të mos përsëriten situata të mungesës së oksigjenit për pacientët. Rekomandimet i bëhen edhe qeverisë së Republikës së Kosovës për të rritur buxhetin për shëndetësinë dhe derisa të sigurohet zbatimi të ligjit për sigurime shëndetësore, në situatat kur shërbimet shëndetësore nuk mund të ofrohen nga sektori publike, qytetarëve t’u mundësohet që këto shërbime t’i marrin nga sektori privat dhe qeveria t’i marrë përsipër shpenzimet. Ministria e Shëndetësisë rekomandohet që të funksionalizojë sistemin unik dhe të integruar të informimit shëndetësor dhe po ashtu të ndërmerr të gjitha masat ligjore për t’i detyruar institucionet private shëndetësore që t’i grumbullojnë të dhënat shëndetësore, t’i ruajnë dhe t’i raportojnë ato”, thuhet ndër të tjera në raportin e publikuar sot.